Connect with us

Religjion

Çfarë vlere ka kjo botë për mua kur nuk e fal namazin e sabahut në kohë?

Publikuar

Në veprën e tij madhështore historike El-Bidaje ven-nihaje (Fillimi dhe fundi), hafiz Ibn Kethiri përmend një tregim ku thuhet se Enes bin Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të), qante sa herë që e kujtonte çlirimin e Tustarit. Këtë tregim e ka regjistruar imam Buhariu në veprën e tij Sahih, në kapitullin për namazin në kohë frike, si dhe Ibni Ebi Shejbe në veprën El-Musannef dhe Ibn Sa’di në veprën e tij Et-Tabekat.

Tustari ishte qytet i fortifikuar persian, i cili u rrethua nga muslimanët për një vit e gjysmë gjatë çlirimit të Persisë, dhe më në fund ra në duart e tyre pas një beteje të vështirë. Ky ishte një nga çlirimet më të vështira për muslimanët.

Nëse rrethimi i Tustarit përfundoi me triumf për muslimanët dhe, nëse ata festuan fitoren e tyre, atëherë pse ky sahabi i nderuar, Enes bin Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të), qante sa herë që e kujtonte këtë betejë? Pse qante kur muslimanët kishin korrur një fitore të lavdishme? Ja pse:

Porta e kështjellës së Tustarit u hap disa orë para namazit të sabahut, dhe ushtria muslimane hyri brenda kështjellës, ku ndodhi një betejë e madhe brenda mureve të qytetit midis 30 mijë muslimanëve dhe 150 mijë persianëve. Ishte një luftë e ashpër dhe çdo moment sillte vdekje dhe rrezik për ushtrinë muslimane. Situata ishte jashtëzakonisht e vështirë dhe e rrezikshme, por në fund, Allahu u dha fitoren muslimanëve, të cilët triumfuan mbi armikun e tyre.

Kjo fitore ndodhi pak pasi Dielli kishte lindur, dhe muslimanët e kuptuan se koha e namazit të sabahut kishte kaluar. Gjatë kësaj beteje të ashpër, ku shpatat lëshoheshin mbi kokat e tyre, ata nuk mundën ta falnin sabahun në kohë. Enes bin Maliku qante sepse për herë të parë në jetën e tij nuk kishte mundur ta falte namazin e sabahut në kohë. Ai qante edhe pse kishte justifikim të vlefshëm, pasi ushtria muslimane ishte e angazhuar në xhihad, por ai e dinte se ajo që kishte humbur për shkak të mosfaljes së sabahut në kohën e vet ishte humbje e madhe.

Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte: “Çfarë është Tustari? Kam humbur namazin e sabahut, për të cilin do të jepja të gjithë këtë botë.”

Në bazë të kësaj, ne kuptojmë pse sahabët e Pejgamberit (savs) korrnin fitore edhe në betejat më të vështira.

Prandaj, le ta pyesim veten: Cila është vlera e namazit të sabahut në jetën tonë?

Shokët e Pejgamberit (savs) e sakrifikonin jetën e tyre në rrugën e Allahut. A mundemi ne ta sakrifikojmë gjumin tonë në rrugën e Allahut? Nëse jo, për çfarë fitoreje mund të shpresojmë?

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK