Lajme
Burhan Bekteshi denoncon diskriminimin në transportin publik të Shkupit

Burhan Bekteshi nga Shkupi ka ngritur një apel publik ndaj Ndërmarrjes Publike të Transportit dhe institucioneve përgjegjëse, duke denoncuar sjelljen diskriminuese të një shoferi të linjës nr. 19 (Shkup – Shuto Orizare – Vizbeg).
Sipas Bekteshit, shoferi në fjalë në mënyrë të përsëritur ka refuzuar ta marrë në autobus për shkak se ai lëviz me karrocë invalidore. Jo vetëm kaq, por ai thotë se është përballur edhe me kërcënime dhe fyerje.
“Kam mbetur në rrugë në shi e diell, kam humbur orarin e punës disa herë dhe jam vënë në rrezik të humb vendin e punës vetëm për fajin e këtij shoferi të papërgjegjshëm”, shkruan Bekteshi në apel.
Ai thekson se kjo sjellje nuk është vetëm një padrejtësi ndaj tij personalisht, por përbën një kërcënim serioz për dinjitetin dhe të drejtat e çdo qytetari me aftësi të kufizuara.
Në apelin e tij, Bekteshi kërkon:
Pezullimin ose përjashtimin e shoferit nga puna.
Vendosjen e mekanizmave mbrojtës për personat me aftësi të kufizuara që përdorin transportin publik.
Përgjegjësi institucionale dhe reagim të menjëhershëm nga organet përkatëse.
Ai mbyll apelin me një thirrje të fortë: “Kjo nuk është thjesht ankesë – kjo është thirrje për drejtësi! Mos e lini këtë çështje të shuhet në heshtje. Sepse heshtja është bashkëfajësi.”
Ngjarja ka ngjallur indinjatë, duke rikthyer në vëmendje nevojën urgjente për respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në transportin publik të Shkupit.

















