Lajme
Bilanci: dëmet në gjënë e gjallë nga zjarret e ditëve të fundit

Zjarret e ditëve të fundit kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme në sektorin e blegtorisë dhe bletarisë në Shqipëri.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) ka raportuar se në bashkitë Delvinë, Gramsh dhe Finiq, si pasojë e flakëve, janë djegur 133 krerë bagëti dhe mbi 600 zgjoje bletësh.
Grupet e punës të ngritura nga AKVMB janë në terren për të vlerësuar plotësisht dëmet dhe për t’u ardhur në ndihmë fermerëve.
Një nga prioritetet kryesore është groposja e kontrolluar e kafshëve të ngordhura për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve. Deri më tani, sipas protokolleve veterinare, janë groposur 39 krerë bagëti të imta dhe gjedh.
Fshati Sirakat, Bashkia Finiq- Një stallë me katër viça u dogj plotësisht, si dhe 197 zgjoje bletësh.
Bashkia Delvinë- Situata mbetet e rënduar, me dëme paraprake në një fermë me 25 krerë të imta dhe 9 parqe bletësh me rreth 500 zgjoje.
Fshatrat e Gramshit- Në fshatrat Skëndërbegas, Arunas, Shëmbërdhenjë, Bletës dhe Kullollas, janë regjistruar dëme në 9 krerë gjedh, 95 krerë të imta dhe 50 zgjoje bletësh.
Tani pyetja ngrihet: a do ketë ndonjë vullnet shtetëror për t’i rehabilituar këto dëme? Sepse fjala është për ekonomi fshatare, të cilat mbaheshin vetëm me to. /tesheshi.com/


















