Connect with us

Lajme

Ana tjetër e një dyndjeje policore te News 24

Publikuar

Pamja në News 24 me forca policë që bllokojnë funksionimin televizionit dhe kërkojnë lirimin e ambienteve të atyshme për një tjetër funksion, nga privat në shtetëror, ngjalli reagimet e pritshme, duke u parë si një sulm qeveritar ndaj medias. Por, sipas një shpjegimi të ftohtë nga Avokatura e Shtetit, ka një tjetër arsye për këtë zhvillim.

Sipas një shpjegimi të dhënë, poseduesi i asaj prone marrë me qera duhet t’i lironte ambientet që para tre vjetësh, pasi kishte mbarruar kontrata. Por ai ka zgjedhur gjyqet me shtetin, të cilat i ka humbur në fund pak javë më parë. E sipas kësaj logjike, e fundit që kishte mbetur ishte ndërhyrja policore.

Ja ç’thuhet në shpjegim nga Avokatura e Shtetit:

Në përmbushje të misionit të saj kushtetues dhe ligjor për mbrojtjen e interesave të Republikës së Shqipërisë, Avokatura e Shtetit informon opinionin publik mbi ecurinë dhe përfundimin e proceseve gjyqësore të zhvilluara me Shoqërinë “Fokus Media News”, lidhur me ambientet në pronësi shtetërore pranë ish-“Uzinës së Pjesëve të Këmbimit të Automjeteve”, në zonën kadastrale nr. 8170, të mbajtura pa titull ligjor prej më shumë se tre vitesh, pas përfundimit të kontratës së qirasë.

Me përfundimin e kontratës më datë 22 maj 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka komunikuar zyrtarisht shoqërisë kërkesën për lirimin e ambienteve brenda datës 25 korrik 2022, në përputhje me afatet kontraktuale.

Pavarësisht këtij njoftimi, subjekti nuk ka kryer dorëzimin vullnetar të pronës, por ka vijuar ta mbajë atë në kundërshtim me ligjin, duke iniciuar procese gjyqësore dhe duke kërkuar masa të përkohshme sigurimi me qëllim pengimin e ekzekutimit të detyrimit.

Që prej vitit 2022, çështja është shqyrtuar në të gjitha shkallët e gjyqësorit – Gjykata e Shkallës së Parë, Gjykata e Apelit dhe Gjykata e Lartë – dhe ka përfshirë gjithashtu katër vendime mbi masa sigurimi.

Vendimi më i fundit, i datës 14 korrik 2025, i dhënë nga Gjykata e Apelit Administrativ me trup gjykues prej tre gjyqtarësh, ka konfirmuar detyrimin për lirimin e menjëhershëm të ambientit.

Në këtë vendim, gjykata ka theksuar se veprimtaria mediatike e shoqërisë nuk cenohet, pasi bëhet fjalë vetëm për ambiente pune që mund të sigurohen në hapësira të tjera, në pronësi ose me qira.

Me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 158, datë 12 mars 2025, kjo pronë i është kaluar shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a., me destinacion ekskluziv përdorimin sipas objektit të saj, në këtë rast për bashkëprodhimin e mjeteve motorike.

Ky projekt strategjik synon rivitalizimin e industrisë ushtarake vendase, krijimin e vendeve të punës në ambientet e zonës së Shkozës dhe garantimin e interesave të sigurisë kombëtare dhe ekonomike.

Në pritje të vendimit të sipërcituar të Gjykatës së Apelit Administrativ, entet shtetërore, përfshirë “KAYO” sh.a., nuk kanë ndërmarrë veprime ekzekutive.

Tashmë, me rrëzimin përfundimtar të pretendimeve të palës private, kanë vijuar procedurat ligjore për marrjen në posedim faktik të pronës te cilat janë në zhvillim e sipër, për ekzekutimin e detyrimit të përcaktuar ne vendimet gjyqesore dhe lirimin e ambienteve te mbajtura pas përfundimit të kontratës.

Avokatura e Shtetit mbetet e angazhuar të ndjekë çdo mjet ligjor në dispozicion për ekzekutimin e menjëhershëm të vendimeve gjyqësore dhe për mbrojtjen e pasurive shtetërore, si një detyrim i panegociueshëm ndaj qytetarëve dhe rendit kushtetues.

Dhe kjo deklaratë nuk është pasuar deri më tani nga ndonjë qëndrim kontestues nga ana e medias në fjalë. Ndaj, ajo që mbetet janë zërat trishtues gazetareskë që ushtronin profesionin aty, paga e të cilëve është në diskutim nga ky zhvillim. /tesheshi.com/

 

 

NA NDIQ NË FACEBOOK