Connect with us

SKENA

Zbulohet SKANDALI – Modelja kosovare në “takim special” me Laert Haxhiun

Publikuar

Një seri incidentesh të rënda kanë tronditur burgun e sigurisë së Lartë në Drenovë të Korçës, duke zbuluar dyshime për shkelje të sigurisë dhe favorizime brenda institucionit. Në qendër të ngjarjeve ndodhen anëtarë të dënuar të bandës së Lushnjës, përfshirë kreun e saj, Laert Haxhiu.

Ngjarja e parë, e cila ka dalë në dritë nga “Ora News”, daton në 12 qershor 2025, kur modelja e njohur kosovare, Ziza Pajaziti, është paraqitur në burgun e Drenovës me pretekstin e një takimi me të dënuarin tjetër me burg përjetë, Vladimir Kurti. Sipas raportit sekret, Pajaziti është akomoduar në një dhomë takimesh speciale, ku në vend të Kurtit, i cili vuan dënimin në qelinë ngjitur, i është sjellë Laert Haxhiu, i dënuar gjithashtu me burgim të përjetshëm. Takimi, i cili u zhvillua nën shoqërimin e dyshimtë të policisë së burgut, ka zgjatur rreth një orë. Kjo ngjarje ka ngjallur dyshime të forta për funksionimin e sigurisë në burg, duke krijuar përshtypjen se ai mund të kthehet në një ambient të cënueshëm nga ndikime të jashtme.

Pas publikimit të kësaj ngjarjeje, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve ka shkarkuar Drejtorin e Burgut të Drenovës, Fatjon Fasho, dhe ka pezulluar Shefin e Policisë së Burgut, Sokol Kaçoli. Të dy janë referuar në prokurorinë e Korçës për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Por incidentet nuk kanë përfunduar me kaq. Më 29 qershor 2025, vetëm 17 ditë pas takimit të modeles, një tjetër kontroll i befasishëm nga policia operacionale në burg ka zbuluar 4 aparate telefonike të markave “Iphone” dhe “Samsung”, si dhe kufje, në qelitë e Laert Haxhiut dhe dy anëtarëve të tjerë të grupit të tij, Anterio Kaloshi dhe Orgest Bilbili. Edhe ky zbulim ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si këto pajisje kanë mundur të futen në një burg të sigurisë së lartë. Prokuroria po heton për të zbuluar personat përgjegjës për furnizimin e të dënuarve me këto mjete të ndaluara.

Si pasojë e gjetjes së telefonave, Laert Haxhiu është izoluar, ndërsa pritet që SPAK të propozojë izolimin në regjimin e ashpër “41 bis” edhe për dy anëtarët e tjerë të grupit. Banda e Lushnjës, ku Haxhiu, Kaloshi dhe Bilbili janë dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy personave në vitin 2017, ka operuar në disa qytete të Shqipërisë dhe Greqi, duke kryer një sërë krimesh të rënda. Ndaj Haxhiut dhe anëtarëve të tij janë ende të hapura dy procese gjyqësore në SPAK për vrasje dhe vepra të tjera kriminale.

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK