Shqipëri
Zbulohet çfarë e shtyu 17-vjeçaren të qëllonte veten me plumb në kokë (Detajet)

Një ngjarje tronditëse ka ndodhur këtë të hënë në lagjen “Kushtrimi” të Vlorës, ku një vajzë 17-vjeçare ka tentuar t’i japë fund jetës duke qëlluar veten me armë zjarri në kokë. Sipas informacioneve paraprake, ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesë, pas një konflikti emocional me të atin.
Mjekët kanë konfirmuar se e mitura ka pësuar dy dëmtime të rënda në kokë – një afër syrit dhe një tjetër në pjesën e sipërme të kafkës. Ajo është aktualisht e intubuar dhe në gjendje të rëndë, me raportime se ka rënë në koma. Sipas burimeve, gjendja e saj është kritike pasi ka humbur shumë gjak.
Vajza jetonte me gjyshërit pas divorcit të prindërve, por ditët e fundit babai i saj – i cili jeton me bashkëshorten e re në një fshat pranë Vlorës – i kishte kërkuar që të transferohej për të jetuar me familjen e tij të re. Ky propozim duket se ka shkaktuar një tronditje të madhe emocionale tek 17-vjeçarja, e cila, për shkak të presionit psikologjik, ka marrë një pistoletë dhe ka tentuar vetëvrasjen.
Pas incidentit, ajo u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Vlorës, por për shkak të plagëve të rënda u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po lufton për jetën.
Autoritetet janë duke hetuar ngjarjen për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe për të verifikuar burimin e armës së përdorur.
















