Connect with us

Shqipëri

Zbardhen prapaskenat – Shkarkimi i drejtorëve, Rama do të punësojë…

Publikuar

Dorëheqjet e njëpasnjëshme të drejtorëve dhe drejtuesve të njësive administrative në disa bashki të vendit kanë ngritur pikëpyetje të reja mbi natyrën e këtij procesi, i cili, sipas analizës së gazetarit Mariglen Kume, nuk është një zhvillim i rastësishëm, por pjesë e një strategjie të mirëorganizuar nga Kryeministri Edi Rama për të riformatuar administratën vendore.

Sipas Kumes, Kryeministri po ndjek një metodë të kamufluar të ristrukturimit, duke shmangur shkarkimet formale dhe duke kërkuar në mënyrë verbale dorëheqjen e drejtuesve. Ky komunikim joformal po përdoret, sipas tij, për të ruajtur formalisht rregullsinë ligjore, ndërsa në thelb synohet pastrimi i administratës nga figura ekzistuese dhe afrimi i emrave të rinj, përfshirë edhe individë nga opozita.

“Pas vizitës së Ramës dhe mbledhjes me drejtuesit vendorë, të gjithë drejtorët dhe kryetarët e njësive administrative kanë dhënë dorëheqjen me kërkesë verbale të kryeministrit. Kjo shmang shkarkimet formale dhe hap rrugën për emërime të reja,” – u shpreh gazetari Kume për mediat.

Në analizën e tij, Kume thekson se kjo lëvizje ka dy objektiva të qarta:

  • Së pari, krijimin e hapësirave për afrimin e figurave opozitare të moderuara apo të zhgënjyera, të cilat mund të përfshihen në strukturat drejtuese në nivel vendor;

  • Së dyti, shpërblimin e individëve që kanë kontribuar në fushatën zgjedhore të Partisë Socialiste, si një mënyrë për të forcuar besnikërinë politike dhe për të ndërtuar një administratë të re “funksionale dhe të besueshme”.

Një shembull i qartë i kësaj prirjeje është rasti i Durrësit, ku pas takimit të Ramës me strukturat lokale të PS-së, të gjithë drejtuesit vendorë dhanë dorëheqjen pranë kryetares së bashkisë, Emiriana Sako. Një komision i posaçëm, i përbërë nga Sako dhe disa deputetë lokalë, po shqyrton mundësinë e rinemërimit ose zëvendësimit të tyre, në varësi të performancës dhe besnikërisë politike.

Procesi ka nisur fillimisht në Vlorë, Fier dhe Elbasan, dhe pritet të vijojë edhe në bashkitë e tjera, përveç strukturave të policisë, të cilat përjashtohen nga kjo riorganizim. Kjo sugjeron një fazë të re të qeverisjes lokale, ku Rama synon të rikthejë kontrollin dhe të përforcojë bazën politike përmes një administrate të përzgjedhur sipas kritereve politike dhe funksionale.

Këto zhvillime vijnë në një kohë kur mazhoranca duket se po përgatitet për etapa të reja politike, dhe përballjen me sfida të brendshme dhe të jashtme, përfshirë rritjen e kritikave ndaj performancës së disa bashkive, por edhe zbehjen e kufirit tradicional mes pozitës dhe opozitës në nivel lokal.

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK