Lajme
Viktima nga një dajo i pabesë

Një komedi po luhet në politikën shqiptare, ajo mes fytyrave të reja Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani, ku shkak është bërë besëthyerja e dajos së këtij të fundit, i cili rrezikon të lërë Lapajn jashtë parlamentit, i cili nga ana e tij, nën një delir të pafrenueshëm, pretendon se ndaj tij ka një komplot të gjerë, ku kanë gisht dhe Rama e Berisha.
Në një status të fundit në FB, Lapaj shpërthen ndaj Shabanit, me shkak dajon e tij.
“Është angazhuar gjithë këneta si e si të mos shkoj unë në Kuvend. Po sa tmerr më keni?! O të mjerë, unë nuk pranoj shantazh e as shitem.
Zeqiri (dajo i Endrit) dhe nipi i tij Endri Shabani të cilit i shtriva dorën e bashkimit nuk do marrin asnjë mandat. Qameti do më ndalojnë mua të shkoj në Parlament.
Është një popull i tërë dëshmitar se Endri Shabani u angazhua për hapjen e listave dhe doli garant për familjarët e vetë.
Nëse Endri Shabani do të mbahet mend kështu në jetën publike, mbarë u shkoftë bashkë me dajon!
Jam krenar që u luftova nga çdo anë dhe nuk u ndala! U luftova nga Rama, Saliu dhe këta “të rinjtë”, deri dhe te ky që e futa në gji…nga të gjithë.
Ndaj meje dhe krejt ekipit të Lëvizjes Shqipëria Bëhet po konsumohet publikisht PADREJTËSI!
Populli do gjykojë”.
Shabani nga ana tjetër përgjigjet me vargjet e njohura:
“Mora pushkën dola malit,
Të luftoja për atdhe,
Ku ta dija unë i varfri,
Se armiku ishim ne.
Mora pushkën dola malit
Të luftoja në furtunë;
Ku ta dija unë i ngrati
Se armiku isha unë”.
Po si qëndron çështja e tyre?
Daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni, iu drejtua sërish Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me një letër ku dhe kërkoi që të ushtrojë mandatin e deputetit në rast se shpallet fitues.
Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet duke qenë se që prej fillimit ishin kundër “listave të sigurta” vendosën që në zgjedhjet e 11 Majit të shkonin në “listën e mbyllur” me emra kandidatësh fiktivë, të cilët më pas me dakordësinë e palëve do të digjnin mandatin, në mënyrë që në Kuvend të futen kandidatët që morën më tepër vota nga lista e hapur.
Por mesa duket, një prej 12 kandidatëve fiktivë në qarkun e Tiranës të Nismës Shqipëria Bëhet ka ndërruar mendje dhe kërkon që të jetë deputet në legjislacionin e ri parlamentar.
Ky është pikërisht daja i Endri Shabanit, Zeqir Kordhoni, i cili pretendon se gjatë kandidimit nuk ishte i qartë nëse kishte firmosur edhe mospranimin e mandatit të deputetit, duke rrezikuar kështu mandatin e Adriatik Lapajt në parlamentin e ri.
Ai i ka kërkuar Celibashit se është i bindur që nuk do të djegë mandatin e tij dhe të injorojë çdo deklaratë apo pretendim të Koalicionit Nisma Shqipëria Bëhet që janë bërë në emër të tij.


















