Connect with us

Shqipëri

VIDEO – Nis aksioni i madh policor pas urdhrit të kryeministrit – DETAJET

Publikuar

Aksioni i ndërmarrë në qytetin e Vlorës për të pastruar dhe liruar hapësirat publike nga çdo formë zënieje të paligjshme ka nisur sot dhe po vijon me intensitet gjatë orëve të mbrëmjes, një ditë pasi Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje të fundit zaptuesve që të reflektojnë përpara se autoritetet të zbresin në terren.

Më herët, Kryeministri Rama ndau në rrjetet sociale disa foto nga zaptimi i hapësirave publike në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë, duke e cilësuar situatën si “toke të xanun”. Ai përsëriti kërkesën për lirimin e hapësirave publike, duke paralajmëruar zaptuesit se nëse nuk veprojnë vetë, do të përballen me gjoba dhe ndjekje penale për shkatërrim të pronës publike dhe cënim të sigurisë së qytetarëve. “Kush nuk do t’i tërheqë vetë nga hapësira publike e përbashkët barrikadat që u ka ngritur njerëzve me gjithëfarësoj objektesh, që nga tavolinat dhe frigoriferët në trotuarë e deri tek muret apo trarët e “doganave” rreth pallateve, do të ballafaqohet jo vetëm me gjobat përkatëse po edhe me ndjekjet përkatëse penale,” – shkroi Rama. Ai shtoi se është koha që shumica të marrë atë që i takon dhe pakica të kthejë atë që nuk i takon.

Ndërkohë, Rama ishte më i ashpër në rastin e Vlorës, duke kërkuar lirimin e hapësirave publike në Lungomare brenda 48 orëve dhe heqjen e strukturave të paligjshme. Ai paralajmëroi se nga e hëna zaptuesit nuk do të kenë më asnjë kontroll mbi ato hapësira. Rama ndau foto nga zaptimi në Lungomare, duke e cilësuar atë si një kategori të re të quajtur “Pergolatë”, ku trotuaret dhe hapësirat e përbashkëta ishin zaptuar nën justifikimin se toka u përket ndërtuesve të pallateve. Kryeministri theksoi se kjo kishte ndodhur me heshtjen e inspektorëve dhe drejtuesve të bashkisë për vite me radhë. “Keni 48 orë kohë për t’u kthyer qytetarëve dhe turistëve trotuarët e tyre dhe për t’i larguar të gjitha llojet e hekurishteve, betonëve, duke i tërhequr “pergolatat” në vijën e parashikuar nga projekti i Lungomares! Nga e hëna nuk do keni më asgjë në dorë,” – shkroi Rama.

Në linjë me paralajmërimet e Kryeministrit, aksioni në Vlorë ka vijuar intensivisht edhe gjatë orëve të mbrëmjes së sotme. Strukturat e Policisë së Vlorës, forcat e policisë rrugore dhe drejtues të lartë të Bashkisë së Vlorës kanë qenë prezente në terren, duke monitoruar situatën dhe duke ndërhyrë për të zbatuar ligjin. Vëmendja kryesore është përqendruar te automjetet e parkuara në mënyrë të palejuar në hapësirat publike, të cilat janë larguar me karrotrec. Autoritetet kanë bërë të ditur se pronarët e këtyre automjeteve do të ndëshkohen me masa administrative. Aksioni pritet të vijojë deri në orët e para të mëngjesit, me synimin për të liruar plotësisht të gjitha zonat e zëna në mënyrë të paligjshme në qytetin e Vlorës. Ky operacion duket si fillimi i një fushate më të gjerë për të rikthyer hapësirat publike në shërbim të qytetarëve, duke pasur parasysh edhe paralajmërimet e ngjashme për Tiranën.

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK