Bota
Tronditëse çfarë zbulohet – Varr masiv me qindra foshnje, nisin gërmimet zyrtare

Hetuesit irlandezë kanë nisur zyrtarisht gërmimet në qytetin Tuam, ku dyshohet se janë varrosur fshehurazi 796 foshnje dhe fëmijë të vegjël. Viktimat besohet të kenë humbur jetën mes viteve 1925 dhe 1961 në një institucion katolik për nënat e pamartuara, i drejtuar nga murgeshat e urdhrit Bon Secours.
Gërmimet po zhvillohen në vendin ku dikur ndodhej “Shtëpia e Shën Marisë për Nënën dhe Foshnjën” dhe pritet të zgjasin dy vite. Qëllimi është identifikimi i eshtrave dhe ofrimi i një varrimi dinjitoz për secilën prej viktimave.
Skandali u zbulua fillimisht nga Catherine Corless, një historiane amatore, e cila në vitin 2014 publikoi emrat e 796 fëmijëve të vdekur për të cilët nuk kishte asnjë regjistër varrimi. Ajo zbuloi se shumë prej fëmijëve ishin hedhur në një ish-rezervuar ujërash të zeza.
Mary Moriarty, një banore e zonës, kujton se në vitet 1970 fëmijët e lagjes zbuluan eshtra në një gropë. Sipas saj, “trupat ishin të mbështjellë me pëlhura dhe të rreshtuar njëri pas tjetrit, deri në tavan”.
PJ Haverty, një nga të mbijetuarit që ka jetuar gjashtë vite në institucion, e përshkroi përvojën si një burg, duke treguar për diskriminimin dhe traumën që mbartin të mbijetuarit edhe sot.
Një hetim i qeverisë irlandeze në vitin 2017 konfirmoi gjetjet e Corless, duke zbuluar mbetje njerëzore, përfshirë foshnje deri në moshën 2-3 vjeç. U konstatua gjithashtu se shumë prej tyre kishin vdekur si pasojë e neglizhencës së rëndë dhe kushteve çnjerëzore.
Anna Corrigan, e cila zbuloi se dy nga vëllezërit e saj kishin vdekur në këtë shtëpi, por për njërin nuk ekziston as certifikatë vdekjeje, ka themeluar grupin “Tuam Babies Family Group” që kërkon drejtësi dhe kujtim për viktimat.
Ndërsa gërmimet kanë nisur, Irlanda përballet me një nga plagët më të thella të së kaluarës së saj, duke u përpjekur t’u japë paqe jetëve të pafajshme të humbura në heshtje.
















