Connect with us

Bota

Stuhi të fuqishme në Ballkan, përmbytje dhe reshje bore – Çfarë e pret nesër Shqipërinë (Parashikimi)

Publikuar

Një stuhi e fuqishme ka goditur Beogradin, duke sjellë me vete reshje të dendura shiu, bubullima, breshër dhe erëra të forta, ashtu siç ishte paralajmëruar nga shërbimi meteorologjik serb. Situata atmosferike e vështirë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në kryeqytetin serb, ku pamje të regjistruara nga qytetarët tregojnë shpërndarje të materialeve ndërtimore dhe rrëzime pemësh në disa lagje.

Autoritetet serbe kanë lëshuar një tjetër paralajmërim emergjence për qytetarët, duke i këshilluar të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare për të shmangur rreziqet e motit ekstrem.

Kushtet e pafavorshme atmosferike nuk kanë kursyer as vendet e tjera të rajonit. Në Kroaci, disa qytete janë përballur me përmbytje si pasojë e reshjeve intensive dhe stuhive të forta. Ndërsa në Slloveni, në zonat malore mbi 2200 metra mbi nivelin e detit, raportohet për reshje bore dhe një rënie e temperaturave deri në zero gradë Celsius.

Ndërkohë, sa i përket Shqipërisë, meteorologu Hakil Osmani nga Meteoalb ka bërë të ditur se dita e sotme ka nisur me temperatura më të ulëta dhe priten reshje shiu që do të intensifikohen nesër (e mërkurë) me rrebeshe të forta në disa zona të vendit. Sipas Osmanit, pas një rënieje të lehtë sot, nesër pritet një ulje më e ndjeshme e temperaturave me të paktën 5 gradë Celsius në të gjithë territorin. Moti i freskët do të vazhdojë edhe të enjten, ndërsa nga e premtja pritet një rritje graduale e temperaturave që do të shoqërohen me një fundjavë të ngrohtë.

Advertisement