Lajme
Rama, fjalim me citate profetike në vlerësim të një lideri arab

Në një fjalim të pasuruar dhe me thënie nga Profeti Muhamed, disa korrekte e disa jo të tilla, kryeministri Rama “ngriti në qiell” presidentin emiratas Sheikh Mohammed bin Zayed Al Nahyan, dike e finalizuar me një dekorim: Urdhrin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike. Sipas Ramës, është ky një vlerësim i lartë shtetëror për përkushtimin e tij të palëkundur ndaj marrëdhënies strategjike mes dy vendeve si dhe kontributin e pakrahasueshëm në kauzën globale të paqes.

“Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të) thoshte:
‘Nuk i lejohet një myslimani të shmangë vëllanë e tij për më shumë se tri ditë… dhe më i miri prej të dyve është ai që përshëndet i pari.
Ju, Lartësi, erdhët tek ne me këtë frymë, si ai që përshëndet i pari. Si një anëtar i dashur i familjes, që ndonëse larg, nuk i lë kurrë të këputen fijet e dashurisë.
Dhe tani është krejtësisht e qartë kush është më i miri nga të dy, nëse ka ekzistuar ndonjëherë ndonjë dyshim”, tha në fillim të fjalimit kreu i qeverisë shqiptare.
Rama solli në kujtesë rolin e të atit dhe të atij vetë në ndihmë të refugjatëve kosovarë në 99-ën.
“Lartësi, ju më mësoni çdo ditë se vëllazëria e vërtetë nuk shpallet, ajo jetohet. Ajo ndërtohet duke ecur së bashku në të njëjtën rrugë, duke qëndruar bashkë me të vërtetën, duke përqafuar urtësinë që ju e trashëguat nga i ndjeri babai juaj, Sheikh Zayed bin Sultan Al Nahyan, Zoti i ndriçoftë shpirtin në paqe të përjetshme:
‘Ne jemi të gjithë krijesa të Zotit’.
Dhe unë pata privilegjin të dëgjoj prej jush, që në takimin tonë të parë, se si babai juaj ua bëri të jetuara këto fjalë në atë moment të paharrueshëm, kur qindra mijëra shqiptarë, duke ikur nga spastrimi etnik në Kosovë, vërshuan drejt Shqipërisë.
Ju ishit atëherë një oficer i ri ushtrie që zbarkuat në pistën e ngritur nga babai juaj në veri të vendit tonë, për të mundësuar mbërritjen e avionëve me ndihma për qindra e mijëra refugjatë lufte.
Ishit Ju vetë që më treguat si ju telefononte çdo mbrëmje për t’u siguruar që refugjatët ushqeheshin dhe trajtoheshin njëlloj pa dallim feje, si të barabartë para Zotit.
Ju, Lartësi, nuk e përqafuat thjesht këtë mësim në rininë tuaj, ju u bëtë mishërimi i tij i gjallë. E kthyet në mision jete dhe e shndërruat vendin tuaj në një flamurmbajtës të ndritur të këtij besimi: një vend, madhështia morale e të cilit qëndron mbi përkushtimin e palëkundur ndaj vëllazërisë universale dhe mbi bindjen e patrembur se, me çdo çmim kjo është e vetmja rrugë drejt një bote më të mirë. Jo vetëm me fjalë të bukura, por me vepra të guximshme.
Siç thotë një tjetër hadith: ‘Nuk ka mysliman që viziton vëllanë e tij të sëmurë në mëngjes, pa shtatëdhjetë mijë engjëj që luten për të deri në mbrëmje. E nëse e viziton në mbrëmje, ata luten për të deri në mëngjes dhe ai do të ketë fruta nga Parajsa’.
Ky hadith nuk flet thjesht për shpërblime të padukshme. Ai flet për praninë ngushëlluese të solidaritetit dhe na kujton se të vizitosh të sëmurin apo të kujdesesh për njeriun në nevojë do të thotë që, për një çast, të bëhesh bartës i mëshirës hyjnore.
Vetëm Zoti i di numrat dhe fuqinë e këtyre engjëjve.
Por unë di këtë: nga Kosova në Somali, nga India në Magreb, nga Toka e Shenjtë deri në Shqipëri dhe, po patjetër, në të gjithë rajonin tuaj dhe në mbarë botën, emri juaj dëgjohet me respekt, shqiptohet me mirënjohje dhe ndërmendet me shpresë.
Njerëz të çdo ngjyre, gjuhe dhe besimi ju janë falënderues për praninë tuaj afër tyre, në orët më të errëta, jo si një sovran në kërkim të larjes së ndërgjegjes, por si një vëlla që nuk pranon të braktisë të ngjashmit e tij që lëngojnë në errësirë; që ecën me ta nëpër lugina lufte, vuajtjeje, dëshpërimi, ekstremizmi dhe shkatërrimi duke u përcjellë jo vetëm ndihma, por diçka që shkon edhe më thellë: fuqinë e heshtur të dhembshurisë dhe gjithashtu lehtësimin ndërsa i siguron se nuk janë vetëm”.
Rama më pas u ndal në rolin e presidentit emiratas pas tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019-të në zemër të Shqipërisë.
“Nuk do ta harroj kurrë që kur erdha te ju pas tërmetit shkatërrues, që la mijëra familje pa strehë, ju më morët dorën dhe më thatë: Vëlla, ti dhe populli yt nuk jeni vetëm!
Dhe sot, një lagje e re e bukur me mbi një mijë apartamente qëndron si dëshmi se ju e mendoni atë që thoni dhe thoni tamam atë që mendoni”.
Rama vijoi sërish me Profetin Muhamed e thëniet e tij, kur tha:
“Pak mund ta kujtojnë, por tradita e Profetit na mëson se kur e do vëllain për hir të Zotit, duhet t’ia thuash. Një njeri i tha Profetit, paqja qoftë mbi të:
‘O i Dërguar i Zotit, e dua atë njeri’.
Dhe Profeti e pyeti: ‘Ia ke thënë?’
‘Jo’.
‘Atëherë shko dhe thuaja’.
Dhe ai shkoi, duke i thënë:
‘Të dua për hir të Zotit.’
Dhe tjetri u përgjigj:
‘Dashtë Ai për hir të të cilit më do, të të dojë edhe ty.’
Ndaj sot, Lartësi, si një vëlla, dua t’ju shpreh me një gjest publik dashurinë dhe besnikërinë ndaj jush si një bartës i dritës së arsyes në një botë që e humb atë çdo ditë dhe errësohet gjithnjë e më shumë”. /tesheshi.com/




















