Connect with us

Lajme

Premtime të mëdha, punë të pakta: Çka (nuk) realizoi Imri Ahmeti për Lipjanin gjatë mandatit të tij

Publikuar

Përkundër zotimeve të shumta dhe premtimeve publike në dy mandate radhazi, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka dështuar të përmbushë një numër të konsiderueshëm projektesh që i kishte paralajmëruar gjatë fushatave zgjedhore. Sipas institutit GAP, më shumë se dhjetëra premtime të tij kanë mbetur pa u realizuar. Vlen të ceket, banimi për veteranët e UÇK-së, për të cilin Ahmeti ishte krekosur duke premtuar se “do ta bëjmë”, por që nuk u realizua asnjëherë. Insajderi sjell disa premtime nga fushata e Imri Ahmetit që mbetën “ëndërr” për lipjanasit.

Gazeta Insajderi

Kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, i cili është në mandatin e tij të dytë, i kishte dhënë gjithsej 61 premtime për këtë mandat.

Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti GAP, deri më tani:

28 premtime janë përfunduar,

13 janë gjysmë të përmbushura,

7 janë në fazë fillestare, ndërsa

13 premtime nuk kanë filluar fare.

Një pjesë e këtyre zotimeve të papërmbushura kanë të bëjnë me projekte që prekin drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve.

Premtimi për banimin e veteranëve

Sipas Institutit GAP 13 punime që ishin premtuar nuk kanë filluar ende.

Një prej tyre është edhe lagjia e veteranëve të UÇK’së.

Në vitin 2013, në fushatë zgjedhore, Imri Ahmeti, ishte krekosur duke kritikuar të tjerët që premtuan, por nuk e bënë lagjen e veteranëve të UÇK-së në këtë qytet.

“Do ta bëjmë”, kishte thënë ai.

Pas kësaj periudhe ai ka vazhduar që të zgjidhej Kryetar i Lipjanit, por kurrë më nuk e ka përmendur e as punuar në këtë projekt. As pas 12 vitesh, projekti nuk është kryer.

Rreth kësaj për Insajderin ka folur edhe shefi i asamblistëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Lipjanit, Arsim Jashari i cili tha se “Po, banimin për veteranët e ka premtuar, por nuk e ka realizuar”.

Premtimi për ndërtimin e një parku së bashku me tregun e gjelbër

Premtimi tjetër “ndërtimi i parkut së bashku me tregun e gjelbër në hapësirën prapa Shkollës Fillore “Vëllezërit Frashëri”.

Siç thuhet në Institutin GAP, ky projekt nuk ka filluar ende.

Insajderi ka kontaktuar me komunën e Lipjanit lidhur me këtë projekt. Në përgjigjen e tyre thuhet se “Tregu i gjelbër është ndërtuar tek shkollat e mesme (ndërkohë që vazhdon të funksionojë edhe tregu i vjetër)“.

Këtë e ka demantuar Shefi i asamblistëve të PDK-së në Kuvendin Komunal të Lipjanit, Arsim Jashari.

Ai tha për Insajderin se “S’ka treg të gjelbërt. Ni treg i ka dështu komplet, s’ka funksonu asnjëherë”.

Premtimi i një shkolle fillore në qytet

Premtimi për “një shkollë fillore në qytet”, ka mbetur premtim i pa realizuar.

Imri Ahmeti gjatë fushatës zgjedhore, qytetarëve lipjanas ua kishte premtuar edhe një shkollë fillore në qytet, por që nuk u realizua. Kështu thotë Arsim Jashari nga opozita.

Shkollën fillore në qytet e ka premtuar, por nuk e ka realizuar”, tha Jashari.

Gazeta Insajderi ka raportuar vazhdimisht për parregullsi në Komunën e Lipjanit gjatë qeverisjes së Imri Ahmetit.

Në raportime të mëhershme janë denoncuar dyshime për ndërtime të projekteve me cilësi të dobët, zvarritje të investimeve infrastrukturore, si dhe praktika të punësimeve familjare e partiake.

Më poshtë i gjeni, vetëm disa prej raportimeve për komunën e Lipjanit:

NA NDIQ NË FACEBOOK