Lajme
Pak qumësht ju lutem, mundësisht pa faturë!

Ish-zv/ministrja e Mjedisit Ornela Çuçi, i ka dedikuar një kritikë të mprehtë aksionit të ri të Ramës, atë mbi qumështin e fshatarëve që duhet të ketë faturë. Siç ka paralajmëruar kryeministri, nga e hëna nuk do lejohet tregëtimi i qumështit apo bulmetrave pa faturë fiskale. E kjo masë vjen teksa situata e blektorisë shqiptare sa vjen e rëndohet, duke qenë me tregues katastrofikë rënieje.
Dhe ja si vjen kjo kritikë nga një ish-zyrtare e qeverisjeve Rama:
“Prej një jave, për arsye shëndetësore, jam duke kërkuar qumësht prej vërteti. Qumësht nga ato lopët që kemi parë në oborret e fëmijërisë në fshat. Jo nga ky që vjen në supermarketin poshtë shtëpisë, i cili, në rastin më të mirë, bëhet me qumësht pluhur dhe në rastin më të keq ka edhe vaj palme. Dhe, një litër e gjys çdo herë nostalgji pa shije.
Por e vërteta është më e hidhur se vetë qumështi i supermarketit.
Shqipëria sot ka mesatarisht 1.8 lopë për çdo fermë. Dhe kjo jo për ndonjë arritje minimaliste, por sepse jemi zhytur në një rënie 42% të krerëve në vetëm një dekadë. Ato që kanë mbetur, japin rreth 3 mijë litra në vit, gjysma e asaj që jep një lopë në një vend normal të BE-së.
(Përmbledhja e strukturës së fermave (2020–2023):
- 63.7 % e fermave mbanin vetëm 1 lopë.
- 32.8 % mbanin 2–4 lopë.
- 2.65 % mbanin 5–10 lopë.
- 0.85 % mbanin më shumë se 10 lopë.
- Mesatarja e lopëve për fermë: 1.82 lopë
International Journal of Agriculture and Environmental Research)
Në këtë mes, fermerët e vegjël janë lënë në mëshirë të fatit, sepse fondet IPARD për bujqësinë, mbi 200 milionë euro, na janë bllokuar për shkak të abuzimeve dhe mashtrimeve, me çmime të fryra dhe firma konsulence që hanë më shumë se lopët vetë.
Ndërkohë, Serbia, që ka afro 900 mijë lopë qumështore, mbush 28% të tregut tonë. Në 2021, importet nga Serbia u rritën me +310%. Pra, kur ne bllokojmë qumështin pa faturë, i blejmë faturat nga fqinji.
Kosova të paktën përpiqet: ka ferma komerciale me 8 deri në 10 lopë, por sërish mungon infrastruktura. Kurse ne, jemi të zënë me të konfiskuar qumështin tek tezgat e lagjes, ndërkohë që sistemin e kemi lënë të kalbet nga rrënjët.
Ky nuk është thjesht një aksion fiskal. Është një akt i thellë vetë-mohimi bujqësor. Sepse nuk është qumështi pa faturë që po na helmon, por mungesa e politikave me moral dhe e shpresës që fshati të jetë i mbështetur dhe jo i rrënuar.
Tani, çfarë më mbetet për të pirë? Veçse gota e boshatisur e subvencioneve që nuk shkuan kurrë tek ata që duhej. Dhe një fushatë sekuestrimi që trajton fshatarin e shkretë, dhe jo sëmundjen e vërtetë té këtij vendi.
Kështu pihet qumështi në Shqipëri: me pak lopë, me shumë import, me zero mbështetje.
Ju lutem, më gjeni pak qumësht pa faturë, por që të jetë qumësht i vërtetë”.






















