Connect with us

Religjion

Në shtratin tim të vdekjes unë pres momentin tim të fundit

Publikuar

Ja ku jam shtrirë në shtratin e vdekjes. Po pres momentin tim të fundit. Ka lot në sytë e mi, kuptimin e të cilit nuk mund ta shpjegoj. A është pikëllim për ndarjen nga jeta apo është pendim për mëkatet që më rëndojnë? Apo është pendim për kohën që kam kaluar dhe nuk e kam përdorur në vepra të mira?

Jam shtrirë në shtrat dhe pavarësisht turmës së atyre që më vizitojnë, ndihem i vetmuar. Çdo orë ose çdo dy orë një shok vjen tek unë, kurse tjetri largohet. I dëgjoj zërat e tyre, shprehjet e simpatisë dhe lutjet e tyre për shëndetin dhe shërimin tim, por kjo nuk më ngushëllon aspak.

Farefisi im më vizitojnë gjatë gjithë kohës, familja ime qëndron me mua deri në agim për ta bërë më të lehtë për mua, por unë nuk ndiej ndonjë lehtësi për shkak të kësaj.

I shikoj me pikëllim. Unë do të doja t’u them atyre: “Largohuni nga unë dhe kaloni pjesën tjetër të jetës tuaj në adhurim dhe pendim, kjo është më mirë për ju.”

Kur të vijë mbrëmja shtirem sikur po fle, që të mos lëshohem në mendime. Do të doja që mendimet e mia të largoheshin nga unë, t’i dëboja plotësisht, por në këtë shtrat dhe në këtë gjendje nuk mund të bëj asgjë tjetër veçse të shikoj, të mendoj dhe të pendohem.

Do të doja që të mos e kisha lënduar këtë dhe atë njeri, që të mos kisha gënjyer dhe mashtruar këtë dhe atë, që të mos i kisha shkëputur lidhjet farefisnore me këtë dhe atë. Që të mos e kisha, që të mos e kisha… Por tani për gjithçka është vonë, tani unë jam në shtratin e vdekjes. Por nëse i kërkoj falje Zotit, a do të më falë Zoti im?

Oh, çfarë pamje e shëmtuar e njeriut! Tani, kur jam dobësuar plotësisht, kur jam plotësisht i rraskapitur, i pafuqishëm dhe i poshtëruar, unë kërkoj falje. Ku isha në kulmin e forcës time, ku isha derisa isha i shëndoshë?

Ah, ku kam qenë unë? Kam kaluar kohë në lojë dhe dëfrim, në luftë për begati kalimtare të kësaj bote dhe kam kujtuar gjithçka përveç Zotit tim. Kurse tani e kujtoj Allahun dhe i kërkoj mëshirë dhe falje.

Ah, o shpirt i përçmuar! Sikur të mund ta fshikulloja veten dhe ta ndëshkoja veten për të gjitha mëkatet dhe gabimet, nëse do të mund të korrigjohesha dhe të bëhesha person me ahlak të bukur dhe sjellje të mirë me të cilin Zoti është i kënaqur.

Ah, sikur jeta të mund të kthehej të paktën vetëm disa vjet prapa, në mënyrë që të bëj tevebe dhe pendim, që të punoj për pastrimin e shpirtit tim, ashtu që në çastin e vdekjes të më marrin dhe pranojnë melekët e Zotit tim, ashtu siç i marrin dhe pranojnë besimtarët e devotshëm.

Ah, shpirti im, si do të përballesh me vdekjen? Po, me vdekjen! Me atë fjalë, nga e cila ti ikje dhe më bëje edhe mua të ikë dhe ta largojë mendimin për të. Tani erdhi koha që të mendosh për të. Tani që je në agoninë e vdekjes, çfarë po do dhe për çfarë po shpreson? Vetëm një orë ose dhjetë minuta. Përse? A është kjo që ta organizosh jetën tënde, të pendohesh, apo ndoshta, që të kërkosh hallall nga të gjithë ata që i ke lënduar dhe shtypur, apo edhe që të lësh ndonjë testament?!

I kujtova fjalët e Allahut: “Kur t’i arrijë vdekja ndonjërit prej tyre (mohuesve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe (në këtë Botë), që të punoj më mirë në ato që i kam lënë. “ (El-Mu’minun, 99-100).

Tani po largoheshi nga jeta, nga pasuria dhe nga reputacioni. Ku po planifikon të arratisesh?

Ku ke qenë, shpirti im, gjatë gjithë jetës?

Pse je futur në këtë situatë të rrezikshme?!

Tani gjithçka ka mbaruar dhe gjithçka ka marrë fund, puna dhe pozicioni që ke pasur në këtë botë. Tani po shkon në shtëpinë e përjetësisë, shtëpinë e shpërblimit dhe ndëshkimit.

Nuk munda të mendoja më tej. Papritmas drita e syve të mi u shua, rrahjet e mia të zemrës u ndalën, Meleku i Vdekjes më shkuli shpirtin dhe ma fiku qiriun e jetës sime të kësaj bote.

Udhëtimi im i kësaj bote përfundoi duke u mbështjellë me qefin dhe duke u varrosur në tokën e ftohtë, në varrin tim. 

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK