Connect with us

Lajme

Ndihma impresionuese për Gazën: bidonë me ushqim në det që nënkuptojnë jetë

Publikuar

Bota po ndjek ngjarjet në Gaza për dy vjet, të cilat kanë arritur në përshkallëzim me atë që shumë media dhe zyrtarë botërorë e quajnë një zi buke të shkaktuar nga njeriu. Pra, tashmë Izraeli i është drejtuar urisë si armë për të mundësuar mposhtjen e një populli të pamposhtur. Qëllimi: spastrimi i Gazës nga palëstinezët.

Dhe në këtë zhvillim të zymtë me një gjenocid në sfond, popujt arabë, duke patur si pengues kryesorë qeveritë e tyre, po përpiqen me të gjitha format që t’u vijnë në ndihmë gazanëve.

Kështu, egjiptianët kanë vendosur të ndihmojnë fqinjët e tyre me bidonë uji që i quajnë “shpresë për jetë”. Si pjesë e iniciativës, egjiptianët mbushin bidonë një dhe dy litra me drithëra, oriz, thjerrëza dhe ushqime të tjera të thata, përpara se t’i hedhin në Detin Mesdhe me shpresën se do të arrijnë në Gaza.

Pjesëmarrësit në iniciativë thanë se kjo erdhi si një masë e dëshpëruar për të kapërcyer rrethimin e ashpër izraelit, në të cilin kamionët me ndihma janë ndaluar në pikat kufitare ndërsa qindra mijëra njerëz po vdesin urie.

Pjesëmarrësit gjithashtu u bënë thirrje njerëzve në vendet që kufizohen me Mesdheun, përfshirë Libinë, Tunizinë, Algjerinë dhe Marokun, që të përfshihen në këtë inisiativë solidariteti. Sipas mediave lokale arabe, ideja u frymëzua nga metoda “mesazh në një shishe” dhe që ka marrë lëvdata të gjera, veçanërisht në mediat sociale.

Ideja thuhet se u propozua nga një akademik dhe inxhinier egjiptian me bazë në Japoni, i cili sugjeroi që shpërndarja e ushqimit nga deti ishte metoda më praktike, duke pasur parasysh bllokadën e vazhdueshme të Gazës.

Në një postim në Facebook, ai shpjegoi se një bidon plastik 25 litra i mbyllur mirë mund të mbajë afërsisht gjashtë deri në tetë kilogramë ushqim, duke lënë një hapësirë ajri prej rreth tetë litrash për të siguruar lundrueshmëri.

Ai shtoi se bidonët duhet të hidhen të paktën katër kilometra larg bregdetit, në një kënd prej 60 gradësh në verilindje, për të shmangur rrymat e kundërta.

“Rrymat sipërfaqësore në Mesdheun lindor rrjedhin nga perëndimi në lindje, me shpejtësi deri në 0.8 km/orë, që do të thotë se bidonët mund të arrijnë në brigjet e Gazës brenda 72-96 orësh, nëse dërgohen nga zona si Damietta ose në lindje të Port Said,” thuhej në postim.

Shumë përdorues të internetit e panë postimin dhe shprehën shpresë, përpara se të ndanin video të njerëzve që pranonin propozimin e tij. Disa e quajtën atë një “shprehje të sinqertë” përballë “impotencës qeveritare”.

Të tjerë thanë se iniciativat simbolike duhet të shndërrohen në presion efektiv popullor, duke mbështetur organizata të besueshme humanitare dhe duke kërkuar veprime urgjente ndërkombëtare për të thyer bllokadën dhe për të hapur kalimet për të lejuar që ndihma jetësore të rrjedhë.

Zhvillimet e fundit vijnë pasi më shumë se 100 organizata ndihme shprehën shqetësim serioz për “urinë masive” në Gaza.

Më shumë se 950 kamionë ndihme besohet të jenë bllokuar në kufirin midis Egjiptit dhe Gazës, ndërsa OKB tha këtë javë se forcat izraelite kanë vrarë më shumë se një mijë palestinezë që përpiqeshin të arrinin ushqim që kur i ashtuquajturi Fondi Humanitar i Gazës i mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli mori përsipër operacionet në maj.

Organizata të tilla si Save the Children, Oxfam dhe Mjekët pa Kufij kanë thënë se kolegët e tyre në Gaza po “vdesin” gjithashtu nga uria.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus, e ka quajtur kequshqyerjen në Gaza “të shkaktuar artificialisht”, ndërsa Izraeli vazhdon sulmet e tij të dhunshme në Rrip. /tesheshi.com/

 

 

NA NDIQ NË FACEBOOK