Shqipëri
“M’u bllokua arma…”, Tase tregon atentatin ndaj vëllezërve Boriçi: Kur dogjëm makinën, u dogja edhe vetë

Të tjera detaje tronditëse ka zbardhur në seancën e sotme për dosjen “Plumbi i Artë”, Skerdi Tasi. Në dëshminë e tij këtë të martë, i penduari i tretë i drejtësisë tregoi momentin e atentatit ndaj Agim Boriçit dhe të vëllait të tij. Para togave të zeza ai tha se së bashku me Henrik Hoxhajn i qëlluan nga 5 metër largësi dhe sesi iu bllokua arma.
“Teksa kërkonim Gim Boriçin, mësuam se e kishin parë tek spitali. Shkuam atje me një makinë “Renault Clio”. Nuk e gjetëm tek spitali. I shkuam tek lokali i tij. Boriçi ishte duke pirë kafe me vëllanë. Henriku tha, aq më mirë. Sipas tij, nëse i vrisnim të dy ishte më mirë për porositësin. U afruam nga rrugicat drejt tyre. Unë kisha një kallash, ndërsa Henriku një pistoletë “Glock”. U afruam dhe qëllova, por pas një breshërie më ngeci arma. Henriku vazhdonte qëllonte dhe më tha, qëllo se do na ikin. Nuk kam ça bëj, i thashë se mu bllokua. Ne i qëlluam nga brenda makinës. Unë isha në sediljen mbrapa, ndërsa Riku në timon. Kishim vendosur të ishim të dy ekzekutorë, pasi nuk e dinim se ku do e qëllonim, në lëvizje, në parakalim a nuk e di. Nëse do zbrisnim, ai do isha unë. Ne qëlluam nga 5 metër largësi. Pamë që ata u ngritën dhe ikën drejt shtëpisë, se ishte ngjitur”.
Në dëshminë e tij ai theksoi se kur dogji makinën u dogj edhe vetë, pasi i morën flakë mjekra dhe dorezat, të cilat u gjetën nga policia.
“Ne nuk dolëm nga makina. Pastaj ikëm tek vendi ku do digjnim makinën. Kur dogjëm makinën, u dogja dhe vetë. Patëm një çakmak, që kishte avulluar. Patëm një shkrepëse, por kishim pak fije. Kur u afrova që i vura flakën, zjarri më dogji mjekrën, flokët. U largova, por më morën flakë edhe dorezat”.
Por pavarësisht kësaj, ai tregoi se Renato Saliaj i kishte thënë të rrinte i qetë pasi nuk kishin asnjë provë që mund ti zbulonte.
“Dorezat që i hoqa ishin gjetur nga policia. Vironi më tha se kishin gjetur një provë, por kishte një kushëri tek ekspertiza. Më tha që do flas dhe që duheshin kaq lekë, por e kuptova që donte ta bënte këtë, që të mos i kërkoja më lekë. Henriku më tha se Renato Saliaj i kishte thënë të ishim të qetë se nuk kishim asnjë provë që mund të na zbulonte”.
Kujtpjmë që tentativa e vrasjes së Agim Boriçit dhe Ilir Boriçit ka ndodhur më 11 prill 2018 në lagjen “8 Shkurti” të qytetit të Fierit.
The post “M’u bllokua arma…”, Tase tregon atentatin ndaj vëllezërve Boriçi: Kur dogjëm makinën, u dogja edhe vetë first appeared on JavaNews.al.

















