Shqipëri
Mario Përlleshi dëshmon për herë të parë në gjyq për vrasjen e Martin Canit. Ja çfarë thot ai (Detajet)

Mario Përlleshi ka dhënë dëshminë e tij për herë të parë në Gjykatën e Tiranës, lidhur me vrasjen e Martin Canit – një nga ngjarjet më të rënda të viteve të fundit që ka tronditur opinionin publik. Dëshmia e tij u mor në prani të një psikologu, për shkak të moshës së tij të mitur, dhe seanca u zhvillua me dyer të mbyllura.
Në shumicën e pyetjeve të bëra nga prokuroria lidhur me dinamikën e ngjarjes, Mario ka deklaruar se “nuk mban mend”. Megjithatë, ai ka mohuar të ketë pasur thikë me vete ditën e ngjarjes, duke pretenduar se mjetin prerës e ka gjetur në rrugë.
Sipas tij, konflikti ishte vijim i debateve që kishin nisur tre ditë më parë, kur Mario pretendon se ishte goditur me grushta nga Martin Cani. Ai ka treguar se pas këtij episodi, Martin i kishte dërguar një ftesë në “Snapchat”, ku debati mes tyre kishte vazhduar. Të dy më pas kishin rënë dakord të takoheshin të hënën për t’u “sqaruar” – pikërisht dita kur ndodhi ngjarja tragjike.
Prokuroria dhe gjykata kanë kërkuar ruajtjen e sekretit hetimor, duke paralajmëruar të dyja palët të jenë të kujdesshme, për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe përfshirjes së të miturve. Gjithashtu, përfaqësuesit ligjorë të familjes së viktimës kanë paraqitur kërkesa të tjera në lidhje me ekspertizat e kryera, dhe në seancën e radhës pritet të vijojë dëshmia e plotë e Marios.
Rasti ka ngjallur interes të lartë publik, mes dritëhijeve të shumta që e shoqërojnë dhe pyetjeve që ende kërkojnë përgjigje.
















