Shqipëri
Manjani tregon çudinë e “Kodit të ri Penal”: 10 vite burg kush bën këtë gjë në dasmë…

Ish-ministri i LSI-së, Ylli Manjani, ka komentuar ashpër projektligjin e Kodit të ri Penal, i cili pritet të kalojë për votim në Kuvend. Sipas Manjanit, qëllimi i ligjit nuk duhet të jetë kriminalizimi i shoqërisë, por edukimi i saj, duke theksuar se kodi aktual favorizon dënimet me burg në vend të gjobave.
Manjani shprehu shqetësimin se Kodi i ri Penal synon të fusë shoqërinë në burg dhe jo ta edukojë. “Qëllimi nuk është të kriminalizohet shoqëria, të futet shoqëria në burg, qëllimi është të edukohet. Nuk zgjidhet asgjë me pranga, kriminalizohet me pranga,” tha ai.
Ai argumentoi se është thelbësore që ky ligj të shoqërohet me një kod kundërvajtjes administrative, ku një sërë shkeljesh të dënohen me gjoba dhe jo me burg. Manjani solli si shembull dënimet e ashpra të parashikuara, si 10 vite burgim për armëmbajtje pa leje apo për shkrepje armësh në dasma, një traditë e vjetër shqiptare. “10 vjet burg për armëmbajtje pa leje, a ndodh kjo në ndonjë vend të botës? 10 vjet burg po shkrepe armën në dasmë, e kuptoni apo jo?!” theksoi ai, duke vënë në pikëpyetje ashpërsinë e këtyre dënimeve dhe nëse ato janë në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Sipas Manjanit, një qasje e tillë do të rëndonte pa nevojë sistemin e drejtësisë dhe do të përkeqësonte situatën sociale në vend, në vend që të ofronte zgjidhje efektive dhe edukative.















