Ndryshe
Loja kthehet në tragjedi! I riu hap gropën buzë detit, por ndodh e keqja

Një ngjarje e tmerrshme ka ndodhur pasditen e djeshme në plazhin publik të Montalto di Castros, në rajonin e Lacios në Itali, ku një 17-vjeçar nga Roma ka humbur jetën pasi është mbuluar nga rëra brenda një grope që kishte hapur vetë. Incidenti tragjik ka ndodhur pranë zonës turistike të “Camping California”.
Sipas mediave italiane, i riu ndodhej në plazh së bashku me familjen dhe po argëtohej me vëllezërit e tij më të vegjël duke gërmuar një gropë rreth 1.5 metra të thellë në rërë. Pasi vëllezërit e tjerë u larguan nga gropa, 17-vjeçari mbeti brenda saj. Në një moment fatal, muret e gropës së rërës u shembën, duke e mbuluar tërësisht.
Babai i tij, i cili po pushonte nën një çadër jo shumë larg, nuk e ka kuptuar menjëherë se çfarë kishte ndodhur. Vetëm kur vuri re mungesën e djalit dhe dëgjoi alarmimin e fëmijëve të tjerë, ai nisi menjëherë kërkimet. Pushuesit e tjerë, të kapur nga paniku, filluan të gërmojnë me duar në vendin ku dyshohej se ndodhej i riu. Përpjekjet e dëshpëruara për ta shpëtuar përfunduan tragjikisht kur ai u nxor nga rëra pas rreth 40 minutash.
Në vendngjarje mbërritën shpejt zjarrfikësit, mjekët e urgjencës dhe një helikopter, por fatkeqësisht, mjekët nuk mundën të bënin asgjë për të, duke konstatuar vdekjen e tij.
Ende nuk është e qartë nëse në momentin e incidentit në plazhin e lirë ka pasur roje detare në detyrë. Karabinierët e Tuscania-s dhe Prokuroria e Civitavecchia kanë nisur menjëherë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të dhimbshme, si dhe për të verifikuar nëse janë respektuar detyrimet e sigurisë në plazh.
Kryebashkiakja e Montalto di Castros, Emanuela Socciarelli, e ka cilësuar këtë rast si një “tragjedi që na ka lënduar të gjithëve” dhe ka shprehur ngushëllimet e saj më të sinqerta për familjen e viktimës. Ngjarja e rëndë ka rihapur debatin në Itali mbi sigurinë në plazhet publike dhe rreziqet e shpeshta që mund të neglizhohen gjatë pushimeve verore, duke shtuar kërkesat për masa shtesë sigurie. Autoritetet pritet të japin një njoftim zyrtar në ditët në vijim lidhur me hetimet dhe masat e ardhshme.















