Lajme
Lajm i keq për Berishën nga SPAK

Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, kumtoi hetime intensive në lidhje me ngjarjet e 21 janarit 2011, konkretisht për dy vrasje, tre plagosje dhe pengim të zbardhjes së të vërtetës.
Ai theksoi se Prokuroria e Posaçme ka në vëmendje vendimin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin e Aleks Nikës, një prej viktimave të protestës së asaj dite.
Ai bëri të ditur se është administruar një audio e siguruar nga gazetari Artan Hoxha, e cila është aktualisht në proces ekspertimi.
“Po kryhen hetime intensive për dy vrasje, tre plagosje dhe pengim të zbardhjes sa të vërtetës. SPAK ka parasysh vendimmarrjen e Strasburgut për çështjen Aleks Nika. Është administruar audio e paraqitur nga gazetari Artan Hoxha dhe është në ekspertim”, u shpreh Dumani në takimin me gazetarët.
Hetimi për ngjarjet e 21 janarit është rihapur nga SPAK një vit më parë, pas vendimmarrjes së Gjykatës së Lartë që urdhëronte Prokurorinë e Posaçme të hetonte një kallëzim të bërë nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e të ndjerit Aleks Nika, njëri prej 4 viktimave të 21 Janarit.
Kjo ngjarje, ndër më të rëndat e postkomunizmit shqiptar, konsiderohet si më e rënda dhe për ish-kryeministrin Berisha, nën qeverisjen e të cilit ndodhi ajo me katër viktima. /tesheshi.com/




















