Shqipëri
LAJM I FUNDIT – Përfshihet nga flakët shtëpia e Personalitetit të shquar në Tiranë

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme përfshiu paraditen e sotme një banesë karakteristike në zonën e “Pazarit të Ri”, duke alarmuar banorët dhe kalimtarët në një nga lagjet më të frekuentuara të kryeqytetit.
Ngjarja ndodhi në banesën historike të familjes Stërmasi, një objekt me vlera të trashëgimisë urbane, e njohur si vendbanimi i dikurshëm i ikonës së futbollit shqiptar, Selman Stërmasi.
Zjarri u përhap me shpejtësi në pjesën e çatisë, por reagimi i menjëhershëm i forcave zjarrfikëse bëri të mundur lokalizimin dhe shuarjen e flakëve në kohë rekord, duke parandaluar dëmtime të rënda në strukturën e objektit.
Në një prononcim për Newsbomb.al, Shefi i Zjarrfikësve të Tiranës, z. Shkëlqim Goxhaj, konfirmoi natyrën e ndërhyrjes dhe rëndësinë historike të godinës:
“Po, mund të them me siguri se është banesa ku ka jetuar Selman Stërmasi. Falë ndërhyrjes së menjëhershme të ekipeve tona, zjarri u shua në kohë rekord dhe u shmang djegia e plotë e shtëpisë.”
Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar, ndërsa dëmet materiale konsiderohen të kufizuara. Shkaqet e zjarrit janë ende nën hetim, por autoritetet kanë nisur verifikimet për të përcaktuar nëse zjarri është shkaktuar nga ndonjë defekt teknik ose faktorë të tjerë.
Banesa e familjes Stërmasi përfaqëson një element të rëndësishëm të memorjes historike të Tiranës dhe e sotmja solli edhe njëherë në vëmendje nevojën për mbrojtjen aktive të trashëgimisë së qytetit, sidomos në zonat urbane të ngarkuara me histori.
















