Lajme
Komuna e Tetovës i reagon Bajram Rexhepit për ndërtimin e shkollës në Sellcë

Komuna e Tetovës ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të z. Bajram Rexhepi lidhur me ndërtimin e objektit shkollor në fshatin Sellcë, duke i cilësuar ato si përpjekje të pasuksesshme për të zbehur kontributin real të pushtetit lokal aktual në përmirësimin e infrastrukturës arsimore.
Në një komunikatë zyrtare, Komuna sqaron se Leja e Ndërtimit me nr. 10-176/23 është lëshuar më 26 maj 2023 nga kryetari i Komunës, z. Bilall Kasami, dhe punimet ndërtimore kanë nisur vetëm pas marrjes së kësaj leje, duke respektuar të gjitha standardet ligjore në fuqi.
“Sot jemi në përfundim të fazës së parë të ndërtimit, një projekt i cili për shumë vite ishte lënë pas dore. Nga viti 2016 deri në vitin 2023 nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për ndërtimin e kësaj shkolle, pavarësisht se Komuna ishte nën drejtimin e përfaqësuesve të BDI-së, përfshirë edhe znj. Teuta Arifi për dy mandate të plota”, thuhet në reagim.
Komuna thekson se tentativa e parë për ndërtimin e shkollës kishte dështuar për shkak të përzgjedhjes së një lokacioni jo të përshtatshëm, gjë që ka sjellë edhe keqpërdorim të mjeteve publike – siç dokumentohet në mënyrë zyrtare.
Po ashtu, thuhet se kompania kontraktuese ka ende detyrime të papaguara nga ish-ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, dhe nga qeveria paraprake LSDM-BDI, çka sipas komunës dëshmon mungesën e angazhimit të mëparshëm për realizimin e projektit.
“Qeveria aktuale, përmes Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, ka garantuar mbështetjen për përfundimin e fazës së parë, ndërsa për fazën e dytë tashmë janë planifikuar mjetet në buxhetin e vitit 2026. Objektivi është që shkolla të jetë funksionale që në fillim të vitit të ardhshëm shkollor”, shtohet më tej.
Në fund, Komuna e Tetovës apelon për shmangie të deklaratave të pabazuara dhe thirrje për bashkëpunim konstruktiv në shërbim të qytetarëve dhe të së ardhmes arsimore të vendit.


















