Lajme
Kanun malesh në mes të Vlorës: a ka devijuar drejtësia në padrejtësi për rastin e kamarierit të rrahur?

Duket se është devijuar e drejta e ngjarjes së pak ditëve më parë në Vlorë, ku në restorantin e një resorti të njohur u keqtrajtua nga dy klientë trupmëdhenj me pantallona të shkurtëra e pandofla një kamarier i atyshëm 18-vjeçar.
Ata ishin Laert Bino, person me precedentë penalë, pikërisht ai që goditi me gushte kamarierin Aron Bala, dhe Ardian Isufi, zyrtar policor me detyrë në Dibër, ish-shef i Rrugores së Vlorës.
Pamjet që u bënë virale dhe provokuan zemërim të madh publik treguan të parin duke goditur të riun, Laert Bino, e pranë tij Ardian Isufi, në një pozicion të paqartë, jo domosdoshmërisht goditës i djalit. Dhe kjo po pretendohet dhe nga familjarë të tij. Pra, siç thonë ata, nuk është ai që ka ushtruar dhunë.
Dhe ana tjetër e këtij zhvillimi, ajo që po mbahet në hije, është dhuna hakmarrëse që është ushtruar mbi këtë zyrtar policor, i cili është në reanimacion për shkak të frakturave të rënda që ka pësuar, pasi ka rënë pre e një dhune të egër nga njerëzit e pronarit të resortit të njohur Rexhina, Vasil Bedinaj, edhe ky i njohur si karakter probematik.
Dhe në këtë zhvillim me shumë dritëhije, një qytetar vlonjat përcjell përshtypjet e tij për ish-shefin e Rrugores së Vlorës, nga një përvojë personale me të.
Ja ç’shkruan ai në rrjete:
“Për herë të parë e kam takuar policin Ardian Isufi në vitin 2018, kur një hajdut ordiner më theu xhamin e makinës dhe më vodhi laptopin dhe dy milionë lekë të vjetra në të njëjtën çantë.
Ardiani erdhi në ngjarje pak më vonë dhe na gjeti aty një grup policësh dhe mua e time shoqe. Ishte hijerëndë, i veshur mirë, i palestruar dhe fjalëpakë. U foli rënë disa policave aty që nuk kishin ndaluar një person me precedentë për vjedhje që u pikas afër vendngjarjes.
Pasi depozitova denocimin në komisariat tek vet Ardiani, u largova me idenë që laptopi dhe lekët i humba përgjithmonë, siç kisha humbur një motor që m’u vodh disa vite më parë.
Por pas dy ditës, më mori vet Ardiani në telefon dhe më tha që shkoja në komisariat të tërhiqja sendet sepse i kishin rikuperuar dhe hajdutin e kishin arrestuar. Ardiani kishte caktuar policë të qëndronin në vendngjarje të prisnin personin e dyshuar, të cilit më vonë i kishin bërë kontroll shtëpie dhe i kishin gjetur sendet e mija.
Nga ai moment, me Ardianin kemi pasur një përshëndetje kortezie dhe ka gëzuar respektin tim si polic i zoti.
***
Si të gjithë, edhe unë e gjykoj Ardianin për sjelljen e rëndë me kamerierin. Por duhet të themi disa gjëra:
1. Ardiani nuk ishte personi që dhunoi kamarierin. Ardiani vetëm i hedh dorën në qafë a në sup dhe i flet. Më vonë e qëllon shoku i tij i tavolinës. Ky shoku, që thuhej se ishte me precedentë penalë, çuditërisht as nuk i përmendet e emri, as çfarë precendetësh penalë ka pasur as nëse është ndaluar nga policia apo jo. Pse të dashura media?
2. Ardiani është gjykuar se po pi kafe me një person me precedentë penalë. Kjo mund të jetë e gjykueshme, por është e rëndomtë në Shqipëri. Këtë e bën vet Edi Rama. Dhe jo vetëm kaq, ai është mik për kokë me njerëz që po kryejnë genocid në Gaza. Unë them ta gjykojmë Ardianin për këtë, por bashkë me gjithë të tjetër.
3. Ardiani, një punonjës i forcave të policisë, është dhunuar pak më pas ngjarjes në grup nga Vasil Bedini me shpurën e tij dhe ka përfunduar në reaminacion në spital. Kjo ngjarje nuk është bërë publike nga mediat dhe, mesa jam në dijeni, nuk është ndaluar askush nga dhunuesit e punonjësit të policisë. Ky është një precedent ulëritës për sigurinë e qytetit. Nëse dhunuesit nuk ndalohen kur dhunojnë punonjës të policisë, imagjino të tjerët.
Unë dua t’i tërheq veshin dy personave, Disidentët dhe Enrik Mehmetit. Të dy e denoncuan ngjarjen dhe bravo për këtë, por nuk kanë thënë asnjë fjalë për dhunimin ndaj policit. Është e qarët që janë të afërt me Vasil Bedinin. Të dashur, o bëni gazetarin deri në fund, o bëjeni mutin punës.
Unë dua drejtësi për kamarierin e dhunuar dhe drejtësi për policin e dhunuar. Vetëgjyqësia nuk duhet justifikohet. Me indinjim të pjesshëm dhe raportim të pjesshëm nuk mund të ecim para”.
Dhe kujtojmë se kryeministri Rama, në një reagim në valën e reagimeve publike ndaj pamjeve të dhunës ndaj kamarierit 18-vjeçar, pos që shpall përjashtimin e tij nga radhët e Policisë së Shtetit, pa u mjaftuar me pezullimin që i bëri Drejtori i Përgjithshëm, kërkoi dhe ndjekje penale ndaj tij me frazën “sapo të dalë nga spitali”. Pra, Rama ka qënë dhe është në dijeni se dhe ai është dhunuar në emër të një hakmarrjeje që anashkalon ligjin dhe shtetin dhe shfaqet me nuanca kanunore. Dhe për këtë anë tjetër ushtrimi dhune nuk reagon. Kjo nuk bie erë e mirë dhe në thelb është padrejtësi. /tesheshi.com/




















