Shqipëri
I riu gjendet i ekzekutuar me armë zjarri – Video nga vendngjarja

Përditësuar/ Renis Dobra, 23 vjeç nga Burreli është i riu, i cili u gjet pa shenja jete pranë liqenit të Shkopetit në fshatin Madhesh të Ulëzës në Mat.
Mbrëmjen e djeshme, babai i viktimës, shtetasi Rufat Dobra kishte bërë kallëzim në komisariatin e Matit ku kishte denoncuar se kishte humbur kontaktet me të birin dhe kërkonte ndihmën e uniformave blu për gjetjen e tij.
Pas disa orësh kërkime, ai u gjet i pajetë, teksa sipas Policisë automjeti i të riut dyshohet se ka rënë në liqenin e Shkopetit. Policia nuk e saktëson shkakun e vdekjes së 23-vjeçarit, por mediat raportojnë se i riu dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Dyshohet se 23-vjeçari është rrëmbyer ditën e djeshme para se të ekzekutohej.
***
Një 23-vjeçar është gjetur sot i pajetë pranë liqenit të Shkopetit. Ka qenë babai i tij që ka bërë kallëzim në polici mbrëmjen e së martës, se i biri Renis Dobra nuk është kthyer në banesë. Policia thotë se pas disa orësh kërkime, kanë gjetur trupin e tij të pajetë pranë liqenit të Shkopetit.
Ende nuk dihen shkaqet e vdekjes ndërkohë që sipas policisë, dyshohet se automjeti me të cilën lëvizte i riu ka rënë në liqen. Një grup i posaçëm hetimor është ngritur për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Dyshohet për vrasje, por rrethanat dhe autorët nuk dihen.
Dobra nuk ka precedentë të rëndë kriminalë, dhe njihej vetëm për disa raste vjedhjesh.
“Mbrëmjen e djeshme, është paraqitur në Komisariatin e Policisë Mat, shtetasi R. D., i cili ka kallëzuar se djali i tij, shtetasi R. D., 23 vjeç, nuk ishte kthyer në banesë. Shërbimet e Policisë kanë nisur menjëherë kërkimet për gjetjen e 23-vjeçarit. Pas disa orësh kërkime, shërbimet e Policisë kanë gjetur trupin e pajetë të 23-vjeçarit, pranë liqenit të Shkopetit, ndërsa automjeti i tij dyshohet se ka rënë në liqen. Në lidhje me këtë rast është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit”, njofton policia.
















