Connect with us

Religjion

Hyr në anijen që do të ndalet pranë burimit të xhennetit

Publikuar

Sipas transmetimit të shënuar nga Ahmedi në Musnedin e tij, dita e 10-të e Muharremit, dita e Ashures, është dita në të cilën anija e Nuhut u ndal në malin Xhudijj. Për këtë ngjarje, Allahu i Lartësuar thotë: “Kur arriti urdhri Ynë e uji nisi të gufojë nga sipërfaqja e Tokës, Ne i thamë: “Ngarko në anije nga çdo lloj gjallese nga një çift, familjen tënde – përveç atyre kundër të cilëve ka qenë fjala e dënimit – dhe besimtarët!” Por shumë të paktë ishin ata që i kishin besuar atij! – Ai tha: “Hipni në anije! Me emrin e Allahut ajo lundron dhe ndalet! Me të vërtetë, Zoti im është Falës dhe Mëshirëplotë.” – Dhe ajo lundronte me ata nëpër valët e mëdha e të larta sa malet, ndërsa Nuhu thërriste birin e vet, i cili ishte ndarë veç: “O biri im, hip me ne e mos u bëj me mohuesit!” – (I biri) tha: “Unë do të strehohem në një mal i cili do të më ruajë nga uji.” Nuhu iu përgjigj: “Sot askush nuk do të kursehet nga dënimi i Allahut, përveç atij që e mëshiron Ai!” Një valë në mes tyre i ndau dhe ai u fundos. – Më pas, një zë thirri: “O Tokë, gëlltit ujin tënd dhe ti, o qiell, ndaloje (shiun)!” Dhe uji u tërhoq e u plotësua urdhri (i Allahut). Ndërsa anija u ndal në malin el-Xhudij dhe u tha: “Larguar qofshin keqbërësit (nga mëshira e Allahut)!” (Hud, 40–44)

Siç na transmeton Ibni Abbasi dhe siç shënon Buhariu, i Dërguari i Allahut (savs), kur erdhi në Medinë, i gjeti Benu Israilët duke e agjëruar ditën e Ashurës, dhe i pyeti: “Pse e agjëroni këtë ditë?” Ata thanë: “Kjo është një ditë e veçantë, në të cilën Musai dhe populli i tij hebre u shpëtuan nga armiku i tyre, prandaj Musai (a.s.) e agjëroi atë.” I Dërguari tha: “Mua Musai (a.s.) më është më i afërt se ju.” Kështu, Muhamedi (savs) e agjëroi atë ditë dhe na rekomandoi edhe neve që ta agjërojmë. Për këtë ngjarje, Allahu i Lartësuar, thotë: “Përpara tyre Ne vumë në sprovë popullin e Faraonit, kur u pat ardhur i Dërguari fisnik, – (i cili u tha): “Më sillni robërit e Allahut, sepse unë jam për ju një i dërguar i besuar! – Dhe mos u madhëroni mbi Allahun, sepse unë po ju sjell provë të qartë! – Unë kërkoj mbështetje në Zotin tim dhe Zotin tuaj, që të mos më vrisni me gurë! – Nëse nuk më besoni, atëherë largohuni prej meje!” – Dhe ai iu lut Zotit të vet: “Ky është vërtet një popull keqbërës!” – (Allahu i tha): “Ec bashkë me robërit e Mi natën, sepse ata do t’ju ndjekin! – Lëreni pas detin e hapur, se ata, me siguri, do të fundosen si ushtri!” – Eh, sa e sa kopshte dhe burime i lanë ata, – sa ara të mbjella dhe ndërtesa fisnike, – dhe sa begati, në të cilat kënaqeshin! – Kështu, Ne ua lamë trashëgim ato një populli tjetër. – Nuk i vajtoi ata as qielli, as Toka, as nuk iu dha afat atyre. – Ne i shpëtuam Benu Israilët nga dënimi poshtërues – prej Faraonit, që ishte tiran, njeri që kalonte çdo kufi të së keqës.” (ed- Duhan, 17–31)

Dita e Ashures është nesër. Ashtu si çdo vit, edhe këtë vit ajo vjen për t’i aktualizuar këto dy ngjarje, për të na i kujtuar ato dhe për të na motivuar që prej tyre të nxjerrim mësime.

Thirrja e Nuhut (a.s.) drejtuar djalit të tij për të hyrë në anije është thirrje që i drejtohet çdo njeriu, sepse jashtë asaj anijeje – të ndërtuar me udhëzimin dhe nën mbikëqyrjen e Allahut – nuk ka shpëtim. Allahu i Plotfuqishëm na fton të hyjmë në këtë anije shpëtimi: “O besimtarë! Pranojeni Islamin me të gjitha rregullat e tij dhe mos shkoni gjurmëve të shejtanit, se ai është armiku juaj i përbetuar. – E, nëse i shmangeni së drejtës, pasi ju kanë ardhur prova të qarta, atëherë dijeni se Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë.” (el-Bekare, 208–209)

Ku është shpëtimi, nëse nuk hyn në anije? Për djalin e Nuhut, nuk kishte shpëtim jashtë anijes. O njeri, shiko shembullin e djalit mosbindës të Nuhut dhe mëso, mbaj mend. Çdo njeri që nuk i bindet Allahut nuk do të shpëtojë. Popullit të Nuhut i erdhi dita në të cilën shpëtimi ishte vetëm për besimtarët, vetëm për ata që hynë në anije. Të gjithë ne do ta presim ditën kur do të shpëtojnë vetëm besimtarët, ajo ditë është Dita e Gjykimit të Fundit.

Djali i Nuhut (a.s.) e dëgjoi thirrjen e babait të tij, por nuk iu përgjigj. Edhe populli i Nuhut e dëgjoi thirrjen e Pejgamberit të tyre, por ata i vendosnin gishtat në vesh dhe mbuloheshin me rroba që të mos dëgjonin dhe të mos shihnin. A e dëgjon ti ezanin? Ku strehohesh që nuk i përgjigjesh? Përgjigju! Bjer në sexhde, sepse e gjithë toka është xhami. Nuk është reale që të përgjigjesh në çdo thirrje të ezanit duke ardhur në xhami, por është e detyrueshme të biesh në sexhde, sepse ajo sexhde është anija jote e fuqishme. Nuk ishin gozhdët dhe dërrasat nga të cilat u ndërtua anija e Nuhut ato që ia jepnin fuqinë anijes së Nuhut. Fuqia dhe siguria e saj ishin në dorën e Allahut. Ajo lundronte dhe ndalonte në emër të Allahut, dhe besimi i njerëzve që hynë në të, ia siguroi asaj atë fuqi dhe siguri. Edhe tabuti ynë është prej gozhdëve dhe dërrasave. Të gjithë ne do të lundrojmë në të drejt Allahut, dhe do të arrijë në vend të sigurt vetëm ai që merr me vete besim të fortë dhe vepra të mira. I sigurt do të jetë ai të cilit në tabut shoqëri do t’i bëjë namazi, sepse e dimë me siguri se ai është i pari për të cilin do të pyetemi. Nuk ka vend ku mund të iket nga përgjegjësia në Ditën e Gjykimit të Fundit. I sigurt do të jetë vetëm ai që i përgjigjet thirrjes së Pejgamberit (savs) për ta ndjekur të Vërtetën. Dita e Ashures, dhjetë Muharremi, në të cilën Nuhu (a.s.) dhe besimtarët u shpëtuan, na thërret: shpëtoni, hyni në anijen e shpëtimit – në Islam – kurse themeli i Islamit është namazi.

Rruga në të cilën eci Musai dhe populli i tij është rruga e çdo populli që ec drejt dinjitetit të vet. Kur Benu Israilët u shpëtuan nga Faraoni dhe në ditën e Ashures kaluan nëpër det në rrugë të thatë, ata ende nuk u çliruan nga veset dhe mëkatet, prandaj duhej të ecnin gjatë drejt Tokës së premtuar, dhe të prisnin gjatë për një shtëpi të sigurtë. Dita e Ashures na vjen që nga kjo ngjarje ne të nxjerrim mësim, dhe që assesi, pasi i kemi kaluar të gjitha sprovat e luftës në të cilën ishim dënuar me zhdukje, të mos i kthehemi viçit prej ari, simbolit të robërisë ndaj kësaj bote. Dita e Ashures na porosit: vazhdoni të ecni rrugës së shpëtimit. Mos lejoni, pasi që e keni gjetur rrugën dhe e keni kaluar detin e luftës, që lakmia, urrejtja, zilia, mëkatet dhe veset e çdo lloji ta ngadalësojnë hapin tuaj drejt sigurisë, drejt prosperitetit, drejt Tokës së premtuar.

Dita e Ashures na porosit: shpëtojeni veten, mos iu robëroni dynjasë, nënshtrojuni Zotit të dynjasë dhe të Ahiretit, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të jetuar të lumtur në të dy botët.

O Zot i Lartësuar, ndihmoje luftën tonë për Tokën e premtuar – Kosovën – dhe na jep sukses! Bëje të sigurt lundrimin tonë në tabut nëpër rrugët e berzahut, dhe bëj që në botën tjetër kjo anije e jonë të ndalet te burimet e Xhenetit, ku për besimtarët ka gjithçka, e edhe më shumë se kaq. Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampres)

NA NDIQ NË FACEBOOK