Lajme
Erdogan, mesazhe të forta për Sirinë, Izraelin e puthadorët e këtij të fundit

Presidenti turk akuzoi të enjten Izraelin se po përdor druzët e Sirisë si pretekst për agresion, duke u zotuar se Turqia nuk do të lejojë kurrë që Siria të fragmentohet.
“Ne nuk u pajtuam me fragmentimin e Sirisë dje dhe sigurisht nuk do të pajtohemi as sot dhe as nesër”, tha pas një takimi të kabinetit në kryeqytetin turk Ankara.
“Izraeli ka përdorur druzët si justifikim për të transferuar banditizmin e tij në Sirinë fqinje për dy ditë”, tha presidenti turk.
Ata që mbështeten te Izraeli herët a vonë do ta kuptojnë se kanë bërë një gabim të madh në gjykim, paralajmëroi Erdogan.
“Izraeli është një shtet terrorist pa ligj, që shkel rregullat, pa parime, arrogant, i prishur dhe i etur për gjak”, nënvizoi Erdogan dhe shtoi:
“Një Siri e qëndrueshme do të gjenerojë stabilitet për të gjitha vendet fqinje, përndryshe, të gjithë do ta mbajnë barrën e kësaj”.
Erdogan bëri më pas një deklarim mesazh shumë të fortë: “Ata që kërkojnë një të ardhme të sigurt përmes shtypjes dhe masakrave nuk duhet ta harrojnë kurrë këtë: ata janë vetëm kalimtarë, ndërsa ne jemi pronarë hanesh. Ne jemi ata që i përkasim vërtet këtij vendi”.
“Ne po ndjekim nga afër të gjitha zhvillimet në Siri, mbajmë komunikim me kolegët tanë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha presidenti turk.
Politika themelore e Turqisë është të ruajë integritetin territorial, unitetin kombëtar, strukturën unitare dhe identitetin multikulturor të Sirisë, sipas Erdogan, raporton Anadolu.
“Përmes politikës sonë të jashtme të ndershme, përpjekjeve për paqe dhe angazhimeve diplomatike, Turqia qëndron në anën e paqes”, tha Erdogan, duke shtuar:
“Ne nuk ushqejmë keqdashje ndaj askujt, as zili apo armiqësi. Ne nuk shkelim të drejtat, ligjet apo sovranitetin e askujt, ne duam vetëm paqe”. /tesheshi.com/





















