Lajme
Edhe klerikë të Judaizimit e pohojnë: Po, uria si armë në Gaza!

Më shumë se një mijë rabinë nga e gjithë bota e kanë akuzuar Izraelin se përdor urinë si armë në Gaza dhe u kanë bërë thirrje autoriteteve izraelite të lejojnë që ndihma humanitare të arrijë në enklavë, raporton Times of Israel.
Sipas Philippe Lazzarini, kreut të Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë, rreth 90,000 gra dhe fëmijë vuajnë nga kequshqyerja, në atë që organizatat e ndihmës po e quajnë një uri të shkaktuar nga njeriu, pra nga bllokada izraelite.
Rabinë dhe studiues hebrenj nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar, BE-ja dhe Izraeli nënshkruan një letër të hapur duke argumentuar se “populli hebre po përballet me një krizë serioze morale”.
“Kufizimet në aksesin humanitar në Gaza dhe politika e mohimit të ushqimit, ujit dhe furnizimeve mjekësore për popullsinë civile që u nevojiten bien ndesh me vlerat themelore të Judaizmit siç i kuptojmë ne”, thuhet në letër.
Rabinët i bënë thirrje Izraelit të lejojë “ndihmë humanitare masive” dhe kërkuan që autoritetet izraelite “urgjentisht, me të gjitha mjetet e disponueshme, të kthejnë të gjithë pengjet dhe të ndalojnë luftimet”.
Letra, e botuar të premten, ka tejkaluar një mijë nënshkrime. Rabini britanik Jonathan Wittenberg i tha The Jewish Chronicle se ai po udhëheq një fushatë për të thyer “indiferencën e pandjeshme ndaj urisë” dhe për t’i bërë thirrje “qëndrimit moral jo vetëm të Izraelit, por edhe të vetë Judaizmit”. /tesheshi.com/



















