Lajme
Drama më e fundit në botën e futbollit

Një dramë ndodhi në finale e parë të një kupe bote për klube, zhvilluar në SHBA. Chelsea mposhti atë që ishte shndërruar në rast studimi në futbollin botëror, në mënyrën më të paimagjinueshme, PSG-në e Luis Enrique, një ekip shpartallues ndaj kujtdo që i dilte përpara, i fundit Real Madrid, të cilin e dërrmoi 4-0.
Më herët, PSG fitoi Champions duke mundur në finale Interin 5-0, posi kishte eliminuar më parë Liverpool-in dhe Bayern Mynih. Dhe teksa ekipi francez kishte marrë trajta mbitokësore, pa patur fare yje, e zbret në tokë ekipi londinez, me lider Cole Palmer me pamje fëminore, duke i shënuar dy gola dhe dhënë asistin e golit të tretë.
Por fundi i ndeshjes ishte po aq i paparashikueshëm.
Nervoziteti që kaploi PSG-në, bëri që trajneri Luis Enrique së bashku me lojtarë të tjerë të tij të sulmonte fizikisht golashënuesin e tretë të Chelsea-s, Joao Pedro. Dhe nuk dihet pse pikërisht atë.

Kjo do të thotë që veç humbjes poshtëruese, për PSG-në mund ta pasojnë tashmë dhe sanksione nga FIFA. /tesheshi.com/


















