Kosovë
Del raporti psikiatrik për Naim Murselin: Ai është ….

Instituti i Psikiatrisë Forenzike ka përfunduar vlerësimin psikiatrik për Naim Murselin, i akuzuar për organizimin e vrasjes së bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, në nëntor 2023 në Prishtinë.
Në dokumentin e bërë publik shkruhet se: Tek i ekzaminuari Naim Murseli nuk është konstatuar ndonjë çrregullim mendor apo sëmundje mendore e karakterit të përkohshëm apo përhershëm.
Në shkresë theksohet se ekspertët nuk kanë gjetur asnjë shenjë të abuzimit me substanca alkoolike apo narkotike në organizmin e të dyshuarit, gjithashtu nuk ka asnjë pengesë në zhvillimin mendor të tij që do të ndikonte në perceptimin e realitetit.
Raporti sqaron se i dyshuari Naim Murseli, ditën e ngjarjes ka qenë plotësisht i vetëdijshëm për të kuptuar veprimet e tij dhe pasojat që mund të shkaktojnë më pas. Nga analizat profesionale ka rezultuar se “nuk është identifikuar ndonjë simptomatologji e nivelit patologjik, e cila do të mund të ndikonte në aftësinë e tij mendore për ta kuptuar rëndësinë e veprës si dhe të kontrollojë veprimet e tij”, shkruhet në raportin e publikuar nga KlanKosova.
Naim Muersili është plotësisht i vetëdijshëm dhe dhe në gjendje të llogarisë dhe të ndërveprojë me avokatët, të marrë pjesë në procesin gjyqësor dhe të kuptojë akuzat. Përshkrimi i gjendjes aktuale të Murselit tregon një person të vetëdijshëm dhe të orientuar në kohë dhe hapësirë. Në raport thuhet se ai ka qenë bashkëpunues, i qetë në sjellje, dhe ka komunikuar në mënyrë të qartë gjatë ekzaminimit. Po ashtu, theksohet se nuk janë vërejtur shqetësime në të menduar apo në mënyrën e perceptimit, ndërsa funksionet njohëse janë të ruajtura.
Në dokument përmendet se Murseli është i vetëdijshëm për situatën ku ndodhet dhe përdor mekanizma mbrojtës si shmangien dhe mohimin. Aktualisht ai mohon se ka mendime për vetëlëndim apo për të lënduar të tjerët.
Kujtojmë që Naim Murseli dyshohet të ketë organizuar vrasjen e bashkëshortes së tij, Liridona Ademaj, më 29 nëntor 2023 në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë. Rasti fillimisht ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë autoritetet kishte arrestuar dy persona. Të akuzuarit e tjerë si të përfshirë në ngjarje janë Kushtrim Kokalla, Granit Plava.















