Lajme
Ç’janë Aksionet e Privilegjuara dhe pse duhen aktivizuar në ekonominë e Kosovës

Nga Ylli Kahramani
Pas luftës, Kosova ka përjetuar një hov të konsiderueshëm ekonomik në të gjitha segmentet e jetës. Rritja e infrastrukturës, konsumit dhe kapitalit njerëzor ka qenë evidente pasi shumëçka ka filluar nga zero. Megjithatë, ndër vite ky hov ka dëshmuar mungesë të theksuar të kreativitetit në menaxhimin dhe qarkullimin e kapitalit në tregun e brendshëm. Fatmirësishtë populli i Kosovës ka ditur që të kursejë edhe në kohë shumë më të vështira, por fatkeqësishtë politikëbërësit nuk kanë treguar kreativitet për aktivizimin e këtij kapitali në të mirën e qytetarëve të vet.
Një kapitali pasiv i qytetarëve vetëm në dhjetor 2024, d.m.th. depozitat bankare të qytetarëve të Kosovës arritën në 6.9 miliardë euro – një shumë e jashtëzakonshme për një vend me madhësinë dhe strukturën ekonomike të Kosovës. Por, në vend se të kthehen në investime dhe zhvillim të drejtpërdrejtë, ky kapital financiar mbetet i mbyllur në institucione financiare që shpesh nuk i ri-investojnë në projekte me ndikim të gjerë social dhe ekonomik. E dijmë që një përqindje nga to merret ndonjë fitim, por kjo nuk është asgje ne krahasim me krijimin e mundësive për investime të këtij kapitali në ekonominë e Kosovës.
Ky kapital i këtij vendi është i deponuar në: Depozitat e qytetarëve; në Fondin e Trustit Pensional; në Fondet nga procesi i privatizimit.
Ky është potencial i madh për zhvillim ekonomik, por për momentin është i kyçur në sisteme joaktive për shumicën e qytetarëve.
Nga trusti pensional janë investuar në tregje të jashtme ku ka periudha që ka humbje në këto investime, ndërsa qytetarët e këtij vendi marrin kredi me kamata te larta. Nga trusti ka kamata shumë të vogëla, që logjika ekonomike nuk jep pozitivitet në këto lloj investimesh. Ndërsa financat e fondit të privatizimeve po dalin në tregun ekonomik shumë pak ose hiç.
Roli i Aksioneve të Privilegjuara (AP)
Një alternativë kreative/e re por që ekziston shumë shekuj kishte qenë e mirëseardhur për aktivizimin e këtij kapitali me përdorimin i aksioneve të privilegjuara. Ligji për këtë lloj aksionesh fatmirësishtë ekziston që nga paslufta, por nuk është aktivizuar në funksion për shumë arsye. Ky model do t’u mundësonte qytetarëve që, në vend të mbajtjes së financave pasive në banka (depozita), të bëhen bashkëpronarë në biznese vendore ose bashkëpronarë në kohë të caktuar, përmes investimeve të strukturuara me kthim të garantuar ose me marrje rreziku dhe fitimi në të njëjtën kohë e ku do të kishin edhe benifite tjera në shpërndarjen e dividentit.
Aktualisht, shumë pak është bërë për të përfshirë aksionet e privilegjuara në tregun real të Kosovës. Në një sistem të mirë-rregulluar nga BQK dhe i bazuar në kontrata të qarta mes bizneseve dhe qytetarëve, këto mjete do të mund të drejtoheshin drejt zhvillimit industrial, bujqësor, teknologjik dhe energjetik. Këto dy vitet e fundit ka filluar lëvizja e duhur nga BQK në këtë drejtim, gjë që jep shpresë që një pjesë e mirë e këtij kapitali do të ketë mundësi të aktivizohet në treg. Hapa të tillë ka marrë edhe ARBK ku secili subjekt do të mundet t’i regjistrojë dhe të punojë me aksione të priviligjuara. Shpresojmë që këto lëvizje do të aktivizohen sa më shpejtë të jetë e mundur sepse janë duke e bërë një lëvizje të duhur dhe shumë të nevojshme për ekonominë e Kosovës.
Përfitimet e mundshme
Me aktivizimin e këtyre mjeteve pasive në banka, sigurisht që përfitimet do të jenë shumë dimensionale:
Krijimi i vendeve të reja të punës;
Rritja e investimeve të brendshme;
Kthimi i besimit të qytetarëve në ekonominë vendore;
Ulja e varësisë nga kreditë me kamata të larta;
Partneritet i drejtëpërdrejt mes qytetarëve dhe sektorit publiko privat.
Sigurisht që edhe ndikimi psikologjik do të kishte ngritje të vetëdijes në masën e gjerë për shkak se do të aktivizohej ndjenja e bashkëpronësisë në tregun ekonomik. Njerëzit do të kishin tjetër ndjenjë dhe vlerësim për çështje ekonomike por edhe politike.
Sektori i bujqësisë do kishte me qenë fituesi më i madh i këtij zhvillimi, por sigurishtë që duhet edukim dhe shpjegim shumë konkret “derë më derë” te bujku por edhe te prodhuesit tjerë. Me shpjegimin dhe kuptimin e drejtë të këtij sistemi çdo gjë do të funksiononte për së mbari në këtë vend të rënduar me një ekonomi konsumuese duke kaluar në një ekonomi prodhuese.
Disa rekomandime publike:
- BQK të zhvillojë rregullore të veçanta për aktivizimin e aksioneve të privilegjuara në tregun financiar që veç se ka filluar.
- Të amendohet ligji për bankat për të lejuar produktin “bashkëinvestim” për individë dhe kompani aty ka kanë interes.
- Të krijohen platforma për ndërmjetësim investimesh të vogla dhe të mesme me garanci publike por jo vetëm.
- Të promovohen edukimi financiar dhe mundësitë e investimit për qytetarët dhe pronarë biznesesh.
- Të krijohen skema të kombinuara (publik + privat) për projekte zhvillimore me aksione të privilegjuara.
- Kjo nuk duhet të mbetet vetëm retorikë – kërkohet veprim i shpejtë me rregullore, pilotime reale dhe produkte të standardizuara.
- Me implementimin e duhur, qarkullimi i kapitalit në Kosovë mund të transformohet, duke krijuar vlera reale për ekonominë dhe familjen, dhe në të njëjtën kohë duke respektuar specifikat kulturore dhe ligjore të vendit.
Pra, kapitali i qytetarëve të Kosovës ekziston dhe është i konsiderueshëm. Sfida nuk është mungesa e mjeteve, por mungesa e mekanizmave të sigurt, të qasshëm dhe inovativ për ta vënë këtë kapital në funksion.
Nëse BQK, Qeveria dhe sektori privat veprojnë me përkushtim, ekonomia e Kosovës mund të përjetojë një valë të re zhvillimi përmes fuqizimit të bashkëpronësisë dhe investimeve me baza të shëndosha. /tesheshi.com/





















