Shqipëri
Celulari i Laert Haxhiut “fundos” dy zyrtarët e larte, shkarkohen (EMRAT)

Drenovë, Shqipëri – Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka marrë masa të menjëhershme duke shkarkuar nga detyra drejtorin e burgut të Drenovës, Fatjon Fashon, dhe shefin e policisë së këtij burgu, Sokol Kacolin.
Vendimi për largimin nga detyra të dy zyrtarëve të lartë të burgut erdhi pas sekuestrimit të një telefoni celular në qelinë e Laert Haxhiut, një i burgosur i kategorisë së sigurisë së lartë, i konsideruar si person me rrezikshmëri të theksuar.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka nisur menjëherë hetimet lidhur me këtë rast. Përveç ekzaminimit të aparatit celular, SPAK po bashkëpunon ngushtë me autoritete të tjera, pasi ekzistojnë dyshime se bisedat e Laert Haxhiut, i njohur si një nga figurat e forta të Lushnjës, mund të jenë sinjalizuar fillimisht nga përgjimet që po kryhen për një çështje tjetër nën hetim.
Ky zhvillim ngre pikëpyetje mbi sigurinë dhe kontrollin brenda institucioneve penitenciare dhe mundësinë e komunikimit të të burgosurve të rrezikshëm me persona jashtë burgut në mënyra të paligjshme.
Hetimet e SPAK-ut pritet të zbardhin rrethanat e plota të këtij incidenti dhe nëse ka pasur përfshirje të personave të tjerë në futjen e telefonit në qeli.















