Shqipëri
Aksident tragjik, dy viktima dhe dy të plagosur

Një aksident i rëndë rrugor është shënuar këtë pasdite në afërsi të Borshit, ku një furgon është përplasur me një automjet tjetër.
Sipas burimeve paraprake, për pasojë kanë humbur jetën dy persona: një burrë rreth 60 vjeç dhe një grua rreth 55 vjeç, të cilët udhëtonin me furgon. Dy personat e tjerë janë plagosur dhe janë transportuar me urgjencë në spital.
Në vendin e ngjarjes ndodhen forca të shumta policie dhe ekipe të emergjencës mjekësore, të cilat po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.
Hetimet për ngjarjen vijojnë.
Lidhur me ngjarjen, policia njoftoi:
Sot, rreth orës 14:20, në rrugën e Borshit, janë përfshirë në një aksident rrugor një automjet tip “Benz” me një mjet të llojit furgon. Si pasojë e përplasjes, kanë humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i furgonit, shtetasi K. M., rreth 60 vjeç, dhe një pasagjere në këtë mjet, e cila dyshohet të jetë bashkëshortja e tij, punohet për identifikimin e saj.
Gjithashtu, janë dëmtuar dy shtetasit që ndodheshin në automjetin tip “Benz”, konkretisht drejtuesi i mjetit, shtetasi M. Q., dhe pasagjeri, shtetasi P. A., të cilët po transportohen në spital për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
















