Lajme
A e dini se kush janë “astronomët papalë”?

Misteret e universit janë ndër ato që ngjallin kuriozitet tek njeriu dhe dëshirën për të ditur më shumë sesa ajo që mund të shohë me sy të lirë.
Një nga institucionet që shikon drejt qiellit është Observatori i Vatikanit. Shumica e njerëzve as nuk e dinë se Vatikani ka një observator astronomik zyrtar me teleskopë në Itali dhe Shtetet e Bashkuara, dhe historia e tij daton që nga viti 1582 dhe reforma e kalendarit Gregorian.
Observatori, përveç teleskopëve dhe pajisjeve për të vëzhguar universin, ka edhe një nga koleksionet më të mëdha të meteoritëve në botë, me mbi 1100 copë nga thellësitë e hapësirës.
Observatori i Vatikanit ndodhet në Castel Gandolfo, Itali, dhe drejtohet nga Frati Guy Consolmagno, i njohur me dashuri si astronomi i Papës.
Në këtë pjesë të fshehur të Vatikanit, Guy Consolmango vjen pas 30 vitesh shërbimi me Korpusin e Paqes në Kenia. Edhe pse, siç i tha Vatican News në mars të këtij viti, ndihej i malluar për shtëpinë, ai shikonte yjet e shpërndarë si diamante në qiellin e natës dhe gjente një kurë.
“Këta ishin yjet me të cilët u rrita në Michigan. Kështu që thashë: ‘Si mund të ndihem i malluar për shtëpinë? Këta janë miqtë e mi’,” tha ai.
Consolmango, 71 vjeç, vëzhgon miqtë e tij të famshëm si kreu i Observatorit të Vatikanit dhe drejton një ekip priftërinjsh dhe fetarësh që janë gjithashtu shkencëtarë.
Kur i ndjeri Papa Françesku u zgjodh në pontifikat dymbëdhjetë vjet më parë, ndër heqjet dorë nga jeta e tij tokësore për të cilat u bë i famshëm ishte përdorimi i rezidencës papale pranë Romës. Breza të tërë papësh kanë shijuar pamjen e liqenit vullkanik, dhe pallati tani është një muze pranë observatorit modern që u themelua në vitin 1891.
Kurioziteti shkencor në kontekstin e teologjisë
Kur miliona shikues në mbarë botën ishin ngjitur pas televizorëve të tyre për të parë transmetimin drejtpërdrejt të uljes së modulit hënor Eagle nga misioni Apollo 11 në Hënë, ata nuk e kishin idenë se vetëm në gjashtë orë Neil Armstrong do të bënte hapin e parë për njerëzimin në thellësitë e universit.
Kjo ishte një pikë kthese në historinë e njerëzimit, dhe pesëdhjetë e gjashtë vjet më vonë, në pontifikatin e ri, Papa Leo XIV e shënoi këtë ngjarje duke vëzhguar Hënën nga Observatori i Vatikanit.
“Sa më shumë gëzim të ndani, aq më shumë gëzim krijoni, dhe kështu, përmes ndjekjes suaj të dijes, secili prej jush mund të kontribuojë në ndërtimin e një bote më paqësore dhe të drejtë”, u tha ai shkencëtarëve të asaj kohe, midis të cilëve ishte Guy Conslomango.
Çfarë ka në observator?
Observatori i Vatikanit është një nga observatorët më të vjetër aktivë në botë, dhe dy kupolat e Pallatit Apostolik, Le Cupole, përmbajnë instrumente të lashta dhe teleskopë historikë që janë ende në gjendje të përsosur pune.
Në dhomat historike ka një pllakë mermeri me mbishkrimin Deum Createrem, venite adoremus (“Ejani, le të adhurojmë Zotin Krijues!”).
Kjo ishte ftesa drejtuar astronomëve nga Papa Piu XI kur ai përuroi selinë e re të Observatorit të Vatikanit më 29 shtator 1935 pas zhvendosjes së tij në Castel Gandolfo. Zhvendosja u bë e nevojshme nga përdorimi në rritje i dritave elektrike në qytet, gjë që e bëri qiellin mbi Romën shumë të ndritshëm për të vëzhguar edhe yjet më të zbehtë.
Dhe përveç teleskopit, biblioteka në Castel Gandolfo përmban më shumë se 22,000 vëllime dhe ka një koleksion të vlefshëm librash të rrallë të lashtë, duke përfshirë vepra nga Koperniku, Galileo, Njutoni, Kepleri, Brahe, Clavius dhe Secchi. /tesheshi.com/





















