Connect with us

Lajme

U dha tenderi 61 mijë euro më i shtrenjtë, Komuna e Ferizajt nuk ofron qasje në dokumentet e kontratës

Publikuar

Komuna e Ferizajt ka dhënë një tender ofertuesit më të shtrenjtë. Kontrata kap vlerën e gjysmë milioni eurosh. Në Gjykatën e Tenderëve është dorëzuar një ankesë ndaj Komunës, ku thuhet se kompanisë që kishte ofruar 61 mijë euro më pak, nuk i është ofruar qasje në dokumentet e kërkuara. Në ankesë theksohet gjithashtu se nuk i janë bërë të ditur as emrat e komisionit vlerësues.

Gazeta Insajderi

Instituti i Shkencës Dhe i Teknologjisë Insi SH.P.K., ka marrë një kontratë në vlerë prej 550 mijë euro në Komunën e Ferizajt.

Sipas njoftimit kompania u angazhua për: Mbështetje profesionale për Hartimin e dokumenteve të Planifikimit të PZHK-së, HZK-së dhe rregullorja e bonuseve.

Ndërsa, një operator tjetër kishte ofertuar për 61 mijë euro më lirë.

Kufizimi i qasjes në dokumente

Kompania që dha ofertën me të lirë për këtë kontratë është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, se komuna i ka kufizuar qasjen në dokumente.

Aty thuhet se AK ka shkelur haptazi parimet e transparencës dhe barazisë në trajtim, duke mos ofruar dokumente esenciale për të mundësuar një shqyrtim real të procesit të vlerësimit dhe përgatitjen e një ankese të bazuar.

Dokumentet që nuk janë ofruar pa asnjë arsye, sipas ankesës janë:

  • Procesverbali i vlerësimit teknik dhe financiar me pikët sipas nën-kritereve nga
    Komisioni vlerësues dhe nënshkrimet përkatëse;
  • Procesverbali Komisionit vlerësues i verifikimit të kushteve të kualifikimit
    (Tekniko-profesionale dhe financiare);
  • Deklarata nën betim e OE i SHPALLUR FITUES
  • Aneksi i nënshkruar nga OE i SHPALLUR FITUES për të dëshmuar se për cilat
    pjesë të ofertës është kërkuar konfidencialitet, i cili, sipas AK-së, supozohet se
    ekziston, por nuk është dorëzuar;
  • Vendimi mbi emërimin e komisionit vlerësues
  • Dokumentet tjera relevante

Në ankesën ndaj Komunës së Ferizajt, thuhet se duke mos ofruar qasje në këto dokumente,ka pamundësuar kontrollin real mbi procesin e vlerësimit.

“Na ka privuar ne si OE konkurues nga ushtrimi efektiv i të drejtës për ankesë të bazuar, në kundërshtim me nenin 108/A të LPP-së. Sikur të ishte ofruar dokumentacioni i kërkuar, ne do të kishim mundur të vërtetojmë që OE i SHPALLUR FITUES:

  • Nuk ka dëshmuar qarkullimin financiar minimal prej 1,000,000 EUR për periudhën e kerkuar;
  • Ka fituar pikë në vlerësimin Teknik si dhe ate financiar në kundërshtim me formulën standarde për vlerësim teknik/financiar, pasi oferta e tij është për periudhë jo përputhëse me FDT”, thuhet aty.

Mos ofrimi i këtyre dokumenteve nuk është arsyetuar nga AK, përveçse në një rast, në të cilin është paraqitur një vendim administrativ për refuzimin e qasjes me arsyetimin e ruajtjes së sekretit afarist

Opozita akuzon komunën se bëri ‘dallavere

Lidhur me tenderin në fjalë ka reaguar kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dega Ferizaj.

Ai tha se Ferizaji po shkatërrohet, sipas tij Komuna nuk e zgjodhi ofertën më të lirë, por atë që “iu pëlqeu më shumë.

“Në mars të këtij viti, tenderi u shpall sërish – kësaj radhe me vlerë më të lartë: 550 mijë euro! Dhe fitues u rishpall e njejta kompani – me ofertën më të shtrenjtë, për 61 mijë euro më shumë se operatori tjetër.

Komuna nuk e zgjodhi ofertën më të lirë, por atë që “iu pëlqeu më shumë”.Dhe kur kompania tjetër u ankua, s’u lanë as të shohin dokumentet. U tha se janë ‘sekrete afariste’. Transparenca? Zero. E as emrat e komisionit vlerësues nuk dihen.

Por ajo që dhemb më shumë është se kjo kompani ka qenë përgjegjëse edhe për planin e kaluar. Po, atë që e ktheu Ferizajin në shembullin më të keq të shkatërrimit urban dhe arkitektonik. Ndërtime pa kritere, shumë beton e aspak gjelbrim e hapësira sportive e rekreative”, thuhet në reagim.

Në fund, Azemi tha se ka ardhur koha që të i jepet fundi kësaj mënyre të qeverisje.

“Mjaft më me dallavere! Koha është që t’i japim fund kësaj mënyre të qeverisje”, shkroi ai.

NA NDIQ NË FACEBOOK