Lajme
Tronditëse! Flasin ekspertët: Ja shkaqet e mundshme pse u rrëzua avioni që shkaktoi mbi 200 të vdekur

Një aksident tragjik ajror ka ndodhur sot pranë aeroportit të Ahmedabadit në Indi, ku një avion i kompanisë Air India është rrëzuar pak minuta pas ngritjes, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë 242 personave që ndodheshin në bord.
Avioni Boeing 787-8 Dreamliner, me numër fluturimi AI171, ishte nisur drejt Londrës me 242 persona në bord, të cilët përfshinin 230 pasagjerë dhe 12 anëtarë të ekuipazhit, mes të cilëve dy pilotë. Mjeti fluturues u rrëzua mbi një konvikt mjekësh që ndodhej pranë zonës së aeroportit, duke thelluar tragjedinë.
Ende mbetet mister për ekspertët e aviacionit shkaku i rrëzimit të avionit vetëm pesë minuta pas nisjes së tij. Sipas raportimeve, moti ishte i mirë në momentin e ngritjes, duke përjashtuar kushtet atmosferike si shkaktar të mundshëm. Një nga pistat e hetimit të ekspertëve është mundësia e një përplasjeje me një tufë shpendësh, e cila mund të ketë çuar në dështimin e të dy motorëve të avionit.
Piloti i avionit kishte dërguar një sinjal emergjence “Mayday” pak çaste para rrëzimit, duke treguar se ekuipazhi ishte i vetëdijshëm për një problem serioz, por fatkeqësisht nuk arriti të shmangte katastrofën.
Eksperti i aviacionit Marco Chan ka konfirmuar se nuk ka pasur indikacione të motit të keq në zonë. Ndërsa ish-piloti Saurabh Bhatnagar theksoi se përplasjet me shpendë janë veçanërisht të rrezikshme në momentet kritike të ngritjes dhe uljes së avionit, dhe mund të shkaktojnë dëmtime të njëkohshme në të dy motorët, duke çuar në një situatë të pakontrollueshme.
Avioni i rrëzuar ishte prodhuar në vitin 2014 dhe njihej si një model tepër efikas, i cili deri më tani nuk kishte shfaqur asnjëherë probleme teknike. Kjo e bën këtë aksident edhe më të pazakontë. Ky është rrëzimi i parë fatal i një avioni Boeing 787 Dreamliner që nga fillimi i operimit të këtij modeli në vitin 2011. Ngjarja përbën një tronditje të madhe për reputacionin e kompanisë Boeing, e cila tashmë ndodhet nën presion për shkak të incidenteve të tjera të ndodhura me modelin 737 MAX.
Autoritetet ajrore indiane dhe ekipet ndërkombëtare të ekspertizës së fluturimeve kanë nisur menjëherë hetimet për të zbardhur shkaqet e kësaj tragjedie. Pritet që shqyrtimi i regjistruesve të të dhënave të fluturimit, të njohur ndryshe si kutitë e zeza, të hedhë më shumë dritë mbi këtë ngjarje të rëndë që ka shokuar komunitetin e aviacionit dhe opinionin publik mbarëbotëror.















