Bota
Tërmet i frikshëm/ Vdes 36 -vjecari, plagosen qindra te tjere

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë të vlerësuar midis 5.6 dhe 6.1 ballë të shkallës Rihter ka goditur kryeqytetin peruan, Limën, dhe qytetin portual Callao të dielën. Sizmologët peruanë raportuan magnitudën 6.1, ndërsa Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara vlerësoi magnitudën 5.6.
Tërmeti, i regjistruar rreth orës 11:35 me orën lokale (18:35 sipas orës sonë), kishte epiqendrën rreth 30 kilometra në jugperëndim të Callao-s dhe u ndje fort në të gjithë zonën metropolitane të Limës. Autoritetet kanë konfirmuar se tërmeti ka shkaktuar një viktimë dhe një numër të ndryshëm të plagosurish.
Policia njoftoi se një 36-vjeçar humbi jetën në lagjen Independencia të Limës, kur një mur u shemb mbi automjetin me të cilin po udhëtonte. Ndërkohë, Qendra Kombëtare e Operacioneve të Emergjencës (COEN) fillimisht raportoi për 36 persona të plagosur në Lima, njëri prej të cilëve u shtrua në spital. Megjithatë, raportime të tjera ndërkombëtare flasin për të paktën pesë persona të plagosur. Numri i saktë i të lënduarve është ende duke u verifikuar.
Përveç viktimave, tërmeti ka shkaktuar panik dhe dëme të ndryshme në infrastrukturë. Zyrtarët kanë raportuar për dëme në disa ndërtesa dhe rrugë, si dhe ndikim në pesë objekte shëndetësore. Nga ana tjetër, Drejtoria e Hidrografisë dhe Lundrimit e Marinës Peruanë sqaroi se ky tërmet i fortë nuk paraqet rrezik cunami për bregdetin peruan.
Presidentja Dina Boluarte u ka bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë, duke siguruar se autoritetet po monitorojnë situatën dhe po vlerësojnë dëmet e plota.
Peruja ndodhet në një zonë me aktivitet sizmik të lartë, e njohur si Unaza e Zjarrit të Oqeanit Paqësor. Vendi regjistron qindra tërmete të dukshme çdo vit, por ky i fundit ka qenë veçanërisht i fortë dhe ka shkaktuar shqetësim të madh në popullatë. Autoritetet po vazhdojnë vlerësimin e dëmeve dhe po ofrojnë ndihmë për të prekurit nga tërmeti.
















