Bota
Sulmet e Izraelit ndaj Iranit, paralajmërimi i frikshëm i Erdogan: Do të …

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka dënuar ashpër sulmet e fundit ajrore të Izraelit ndaj Iranit, duke i cilësuar si “një provokim të qartë që shkel të drejtën ndërkombëtare” dhe që rrezikon stabilitetin e të gjithë Lindjes së Mesme.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Erdogan tha se sulmet, të kryera në kulmin e bisedimeve për programin bërthamor iranian dhe mes presionit ndërkombëtar për veprimet e Izraelit në Gaza, tregojnë “mentalitetin e papërgjegjshëm” të autoriteteve izraelite që, sipas tij, shpërfillin rregullat ndërkombëtare.
“Sulmet e Izraelit ndaj fqinjit tonë Iranit përbëjnë një provokim që sfidon të drejtën ndërkombëtare. Këto veprime, të ndërmarra në një moment delikat, zbulojnë edhe një herë qëllimet e Izraelit për të zgjeruar konfliktin dhe paqëndrueshmërinë nga Gaza në të gjithë Lindjen e Mesme”, deklaroi presidenti turk.
Erdogan akuzoi qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu për veprime që rrezikojnë paqen, jo vetëm në rajon, por edhe në mbarë globin. “Qeveria e Netanyahut po përpiqet të tërheqë të gjithë botën në një katastrofë me veprimet e saj të pamatura, agresive dhe të paligjshme. Komuniteti ndërkombëtar duhet t’i thotë ‘ndal’ këtij banditizmi që cenon stabilitetin rajonal dhe global”, theksoi ai.
Në fund të deklaratës, presidenti turk shprehu solidaritet me popullin iranian, duke dënuar sulmet që prekën civilët. “Ne nuk duam të shohim më gjak, shkatërrim dhe luftë në rajon. Si Turqi, dënojmë sulmet e urryera kundër Iranit. Shprehim ngushëllimet tona për viktimat, u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve dhe qëndrojmë pranë popullit mik dhe vëlla të Iranit”, përfundoi Erdogan.















