Connect with us

Lajme

SKANDAL në zyrat e shtetit, drejtori dhunon punonjësen për një karrige

Publikuar

Një incident i rëndë dhune është raportuar në Drejtorinë e Ujësjellës Kanalizimeve (UKD) Dibër, duke rikthyer në vëmendje problemin e dhunës nga zyrtarë publikë në institucionet shtetërore të këtij qarku. Ngjarja ka ndodhur mesditën e së martës dhe sipas dokumentave të siguruara nga WebLajm.com, ka përfshirë një debat verbal që ka agravuar deri në fyerje, kërcënime dhe goditje me shuplakë.

Sipas raportimeve, sherri ka nisur mes disa zonjave për tavolina dhe një karrike të dëmtuar. Punonjësja e UKD-së me iniciale SH.D ka kallëzuar penalisht në polici shtetasin Julian Damza, i cili është Drejtor i Kujdesit Shëndetësor në Bulqizë. Në kallëzimin e saj, SH.D pretendon se Damza e ka goditur me shuplakë në ambientet e punës me arsyetimin se ajo (shefja e taskë forcës në UKD) kishte debatuar me bashkëshorten e tij.

Policia e Dibrës ka nisur menjëherë hetimet lidhur me këtë incident dhe ka referuar materialet e para në prokurori për veprime të mëtejshme. Ky rast vjen vetëm pak muaj pas një tjetër incidenti të dhunshëm të raportuar në spitalin rajonal të Dibrës në shkurt të këtij viti, ku drejtoresha e asaj kohe, Irini Shehu, u akuzua për dhunë ndaj shefit të financës.

Në lidhje me incidentin e fundit në UKD, në dosjen e referuar në prokurori, punonjësja SH.D ka detajuar se pas një zënke verbale me bashkëshorten e Julian Damzës për një karrike të dëmtuar, ajo është fyer dhe kërcënuar. Më pas, bashkëshorti i saj, Julian Damza, ka ardhur në ambientet e UKD-së dhe e ka goditur me shuplakë në fytyrë. Punonjës të tjerë të pranishëm kanë ndërhyrë për të ndaluar agresionin, por Damza ka vazhduar me fyerje dhe më pas e ka goditur sërish me shuplakë në krah dhe në pjesën e pasme të kokës. Pas kësaj, SH.D është larguar dhe ka telefonuar policinë.

Nga ana tjetër, rikujtojmë se pas incidentit të dhunës në spital, Irini Shehu u shkarkua nga detyra me urdhër të Ministres së Shëndetësisë, Albana Koçiu. Ndërsa sa i përket Drejtorit Julian Damza, ende nuk ka asnjë vendimmarrje administrative, pavarësisht kallëzimit penal të bërë ndaj tij për dhunë fizike. Ky rast i përsëritur i dhunës në institucionet shtetërore të Dibrës tregon një situatë shqetësuese dhe mungesë të tolerancës ndaj dhunës në vendin e punës.

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK