Connect with us

Lajme

Sërish në karantinë? Vjen sëmundja e rrezikshme, konfirmohet zyrtarisht i infektuari i parë

Publikuar

Autoritetet shëndetësore në Shqipëri kanë konfirmuar rastin e parë të infektimit me linë e majmunit (monkeypox) në vend. Burime për Top Channel bëjnë të ditur se sëmundja infektive virale, e shkaktuar nga virusi monkeypox, është diagnostikuar tek një i ri rreth 30 vjeç.

Mësohet se i riu i infektuar ka udhëtuar jashtë Shqipërisë, dhe kjo është ajo që ai ka deklaruar para mjekëve, të cilët e lidhin udhëtimin si shkak të mundshëm të infektimit. Kjo pasi deri më tani në Shqipëri nuk ishin identifikuar apo raportuar nga Instituti i Shëndetit Publik raste të prekura nga lija e Majmunit.

Simptomat tipike të kësaj sëmundjeje përfshijnë temperaturë të lartë, dhimbje trupi, ënjtje të nyjave limfatike, si dhe shfaqjen e skuqjeve dhe puçrrave që më pas shndërrohen në flluska të mbushura me lëng, të cilat më vonë formojnë kore. Këto puçrra zakonisht shfaqen në duar, fytyrë dhe në organet gjenitale.

Sëmundja e monkeypox përhapet kryesisht nga kontakti i drejtpërdrejtë me personat e infektuar, përmes prekjes së lëkurës ose gjatë marrëdhënieve intime. Gjithashtu, një person mund të infektohet edhe nga kontakti me objekte të kontaminuara si çarçafët, peshqirët apo rrobat e personit të infektuar.

Lija e Majmunit konsiderohet si një sëmundje endemike e Afrikës, pasi virusi qarkullon në kafshët e egra të këtij kontinenti. Në vitin 2022, kjo sëmundje u përhap globalisht, duke prekur vende të ndryshme në Europë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërinë e Bashkuar. Spanja u bë vendi me numrin më të lartë të rasteve të Mpox në Europë, me afro 8100 raste, e ndjekur nga Franca dhe Mbretëria e Bashkuar.

Autoritetet shëndetësore bëjnë të ditur se sëmundja monkeypox është e kurueshme dhe rekomandohet që personi i infektuar të izolohet nga anëtarët e tjerë të familjes për të parandaluar përhapjen e mëtejshme. Simptomat e sëmundjes mund të jenë më të rënda tek fëmijët e vegjël apo personat me sistem të dobët imunitar. Instituti i Shëndetit Publik pritet të japë detaje të tjera në orët në vijim lidhur me këtë rast të parë të konfirmuar në Shqipëri dhe masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e saj.

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK