Shqipëri
Rikthehet Lul Basha, i jep goditjen e beftë Ramës! Kryeministri tërbohet – Shihni reagimin

Gjykata e Tiranës ka rrëzuar padinë e ngritur nga Kryeministri Edi Rama kundër ish-Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për cenim të nderit dhe personalitetit. Padia ishte ngritur në lidhje me deklaratat publike të vitit 2018 nga Basha mbi përfshirjen e zyrtarëve të lartë të Partisë Socialiste në aferat e dosjes “339”.
Kreu i qeverisë e kishte paditur Bashën, duke kërkuar dëmshpërblim jo pasuror në vlerë prej 1 milion lekësh për cenim të nderit dhe personalitetit. Basha në deklaratat e tij kishte akuzuar Vangjush Dakon dhe strukturat e Partisë Socialiste për bashkëpunim me grupe kriminale për blerje votash.
Megjithatë, me vendimin e datës 11 qershor, Gjykata e Tiranës vendosi rrëzimin e padisë, duke argumentuar se ajo është e pabazuar në ligj dhe në prova. Gjykata urdhëroi që shpenzimet gjyqësore të paguhen nga pala paditëse, pra nga Edi Rama. Ky vendim i gjykatës mund të apelohet nga kryeministri brenda 15 ditësh.
Një ditë më parë, zyra e shtypit e Koalicionit Euroatlantik, të cilit i përket Basha, deklaroi se Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm në Tiranë e rrëzoi padinë e Ramës, duke vlerësuar se deklaratat e Bashës përbënin një opinion politik të ligjshëm, të mbështetur në fakte të njohura publikisht dhe të bërë në funksion të detyrës së tij si lider i opozitës.
Në njoftimin zyrtar të publikuar nga Gjykata e Tiranës thuhet se pas shqyrtimit të çështjes dhe bazuar në rrethanat e konstatuara gjatë hetimit gjyqësor, dispozitat ligjore përkatëse dhe arsyetimin e mësipërm, padia nuk duhet pranuar pasi është e pabazuar në ligj dhe në prova. Gjykata, mbështetur në nenet 126, 306 deri 310 të Kodit të Procedurës Civile, vendosi rrëzimin e padisë dhe vënien e shpenzimeve gjyqësore në ngarkim të palës paditëse.
Menjëherë pas vendimit të gjykatës, Kryeministri Edi Rama reagoi ashpër përmes një postimi në platformën ‘X’. Ai shprehu kritika të forta ndaj gjyqësorit, duke ironizuar faktin se gjyqtares së çështjes iu deshën shtatë vite për të dalë në një konkluzion. Rama pretendoi se gjyqtarja ka arsyetuar se nuk ka pasur dëm ndaj tij pasi ai ende mban postin e kryeministrit dhe deklaratat e Bashës nuk kanë ndikuar në perceptimin publik ndaj tij.
“Pra sipas gjykatëses, Luli s’ka shpifur përderisa shpifja e tij s’më ka larguar nga detyra!”, shkroi Rama me ironi. Ai e cilësoi këtë si një fakt për të qarë dhe jo për të qeshur, veçanërisht kur merr parasysh se kjo gjyqtare i përket Unionit të Gjyqtarëve që kërkon rritje page prej 700 eurosh nga Gjykata Kushtetuese.
Rama gjithashtu kritikoi Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ), duke pyetur nëse do të reagojë ndaj veprimeve dhe vendimeve të tilla të gjyqtarëve. Ai theksoi se nuk bëhet fjalë vetëm për çështjen e tij personale, por për hallin e njerëzve të thjeshtë që varen nga gjykatës të cilët, sipas tij, e kanë nivelin logjik nën kapacitetin e një 12-vjeçari. Kryeministri përfundoi duke theksuar se halli kryesor është se si do të shkojnë çështjet shumë më të rëndësishme të njerëzve që varen nga mendja e gjykatësve të tillë.
















