Connect with us

Bota

Presidenti kolumbian trondit me deklaratën: Ju tregoj çfarë më ka bërë mafia shqiptare

Publikuar

Presidenti kolumbian Gustavo Petro ka fajësuar atë që ai e quan një “sindikatë globale të krimit” për atentatin ndaj Miguel Uribe të Qendrës Demokratike. Petro ka deklaruar se e gjitha po bëhet për të “ndaluar rilindjen kolumbiane”.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, presidenti Gustavo Petro fajësoi për atentatin ndaj Miguel Uribe Turbay (i cili ndodhet ende në spital) një rrjet trafiku droge që shtrihet nga Dubai, Italia dhe Shqipëria deri në Ekuador. Sipas presidentit, ky grup ka lidhje me Klanin e Gjirit (Clan de Golfo) të Kolumbisë dhe një komandant lufte të njohur si Iván Mordisco.

“I kemi goditur, kemi bërë përparim në Catatumbo, Micay dhe Nariño. Kemi kapur bosët e mafias shqiptare që punojnë në Dubai dhe Itali. Unë ekstradoj një gangster në ditë dhe shkatërroj 4.5 laboratorë kokaine dhe baza kokaine çdo ditë. Asnjëherë më parë nuk është sekuestruar kaq shumë kokainë sa gjatë administratës sime,” tha Petro, duke pretenduar se po punonte për të shkatërruar atë që ai e quan “juntë kundër shtetit”.

Presidenti kolumbian këmbënguli se në shënjestër për t’u ekzekutuar ishte edhe vetë ai, me qëllimin që të shkatërrohej qeveria. Ai shtoi se “mafia e ndërkombëtarizuar kolumbiane” që është krijuar në disa qytete dhe tashmë edhe në Dubai, e urren atë për veprimet e tij dhe denoncimet e tyre. Petro pohoi se ata janë infiltruar në shtet dhe politikë dhe po kërkojnë ta vrasin dhe të shkatërrojnë qeverinë.

Presidenti Petro i bëri thirrje kolumbianëve të mos “ngatërrohen ose terrorizohen nga pakicat e dhunshme”. Ai tha se si një hipotezë, por me prova të forta, kanë arritur në përfundimin se vrasësit fshihen pas një mafie me seli ndërkombëtare, që kërkon të dobësojë shtetin dhe të forcojë kontrollin e saj mbi ekonominë e paligjshme.

Në lidhje me këtë “juntë” të trafikimit të drogës me qendër në Dubai dhe Kolumbi, Petro pohoi se brenda saj janë njerëz që ai ia zbuloi vendit me emër dhe mbiemër. Ai përmendi gjithashtu vrasjen e më shumë se 185 kandidatëve në zgjedhje në Meksikë dhe Ekuador, përfshirë një kandidat për president, duke shtuar se po përballen me një ofensivë për të marrë kontrollin e shtetit në pjesën më të madhe të Amerikës Latine nga mafia.

Ndërkohë, Zyra e Prokurorit ka deklaruar se nuk ka identifikuar “juntën” për të cilën flet presidenti dhe se në hetimet e kryera nuk janë marrë prova në lidhje me ekzistencën e saj, duke mos pasur hetime të hapura në këtë kontekst. Megjithatë, Petro këmbëngul se ka të dhëna që tregojnë të kundërtën.

Një burim pranë qeverisë kolumbiane ka thënë se “junta” përfshin trafikantë droge të nivelit të lartë, si uruguaiani Sebastián Marset dhe shqiptari Dritan Gjika, i cili konsolidoi një rrjet trafikimi kokaine nga Ekuadori dhe u kap në Abu Dhabi.

Advertisement

NA NDIQ NË FACEBOOK