Lajme
LAJM I FUNDIT – Ekstradohen nga Dubai kokat e krimit

Policia e Shtetit ka njoftuar se është arrestuar në Dubai Dashnor Dumani, vëllai i të penduarit të drejtësisë, Nuredin Dumani. Ende nuk dihet data e saktë e arrestimit në Emiratet e Bashkuara Arabe, por autoritetet shqiptare kanë finalizuar procedurat e nevojshme për ekstradimin e tij, dhe Dashnor Dumani pritet të mbërrijë në Tiranë gjatë pasdites së sotme.
Dashnor Dumani rezulton i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje. Ai ishte gjithashtu në kërkim nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), i akuzuar për vrasje dhe vjedhje me armë. Për më tepër, ai dyshohet të ketë qenë pjesë aktive e Masakrës së Bradasheshit në vitin 2018, ku u vranë tre anëtarë të familjes së Erion Alibej.
Bashkë me Dashnor Dumanin, është arritur marrëveshja për ekstradimin edhe të një anëtari tjetër të një organizate kriminale të njohur si “Çopjat”. Armis Stafa, i njohur ndryshe si Armees Stava, 36 vjeç nga Elbasani, u arrestua më 27 maj në Dubai. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar në lidhje me dosjen e njohur si “Plumbi i Artë 2”, ku ishte goditur grupi i “Çopjave”. Roli i tij në këtë organizatë kriminale dyshohet se ishte pastrimi i parave të përfituara nga aktivitete të paligjshme, duke përdorur si fasadë tregtinë e makinave.
Në njoftimin e Policisë së Shtetit thuhet: “Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet që gjatë ditës së sotme, të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, në Shqipëri, të shtetasve të shumëkërkuar, pjesëtarë të organizatave kriminale: – D. D, i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe i akuzuar nga GjKKO-ja, për vrasje dhe për vjedhje me armë; – A.S, i akuzuar nga GjKKO-ja, se ka pastruar paratë e një grupi kriminal në Elbasan.”
Ekstradimi i dy personave të shumëkërkuar në Shqipëri shihet si një goditje e rëndësishme për botën e krimit në vend dhe si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër kriminalitetit të organizuar.
















