Shqipëri
Kush janë ministrat që ikin dhe ata që vijnë në shtator në qeverinë e re

Analisti politik Ardit Rada zbuloi disa nga prapaskenat dhe pritshmëritë për kabinetin e katërt të Edi Ramës, i cili do të nisë zyrtarisht në shtator 2025.
Sipas Radës, kabineti i ri pritet të jetë i mbushur me surpriza, të ndryshojë thellësisht strukturën dhe të orientohet më shumë drejt teknokracisë.
Kush ikën? Rada parashikon largimin e një numri të madh të ministrave aktualë, veçanërisht atyre me profil politik, të cilët kanë qenë pjesë e Partisë Socialiste për vite me radhë. Ai përmend konkretisht Anila Denaj dhe Ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja.
“Unë besoj se një pjesë e mirë e tyre nuk do të jenë më ne shtator. Nuk shoh që Ulsi Manja do të vijojë si Ministër i Drejtësisë, pasi sfidat që lidhen me përafrimin e legjislacionit me BE kërkojnë figura më teknike. Jo se nuk e bën dot punën, por besoj se Rama do zgjedhë njerëz me formime specifike” – tha Rada.
Kush vjen? Rama pritet të sjellë figura të reja me profil teknik, jashtë grupit parlamentar, me qëllimin për të përballuar sfidat e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Rama do godasë shumë lart dhe do jetë i kujdesshëm në zgjedhjen e ministrave që do merren me çështjen e integrimit. Pse jo, jo vetëm Ministria e Integrimit, por ndoshta edhe dy apo tre ministri të tjera që do fokusohen në procesin e negociatave“, thote analisti.
















