Connect with us

Religjion

Kur muslimani vdes për vendin dhe fenë e tij, ai shpallet terrorist

Publikuar

Ed’hem Sherkavi

Më jep hua zemrën tënde o Gazi i ri, se ngjarjet janë serioze dhe gjërat janë në një pikë kthese, kështu që kushdo që e shikon këtë skenë të tmerrshme me sytë e tij, pushtohet nga dëshpërimi, por kush e shikon këtë skenë me syrin e besimit të sinqertë, ai nuk sheh gjë tjetër përveç fjalëve të të Dërguarit të Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të), drejtuar Zejd ibn Harithit (r.a.), i cili ishte i shqetësuar për jetën e të Dërguarit të Allahut (savs), pasi që banorët e Taifit e refuzuan thirrjen e tij në Islam dhe e dëbuan nga qyteti me gurë, e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, si do të kthehesh në Mekë kur banorët e saj të dëbuan?”, kështu që i Dërguari i Allahut (savs) me bindje dhe siguri të plotë i tha atij: “O Zejd, Allahu do të na japë lehtësim dhe rrugëdalje nga kjo situatë!”

Nuk po të shes iluzion, unë po vij nesër në vendin e skenës së fundit që e dimë edhe unë edhe ti. Dita e Gjykimit nuk do të vijë derisa t’i luftojmë dhe t’i mposhtim ata.

Atëherë, për çfarë dëshpërimi mund të flasim kur dihet fundi i tregimit?!

Më jep hua zemrën tënde o Gazi i ri, sepse zemrat kanë nevojë për dikë që herë pas here t’i inkurajojë dhe t’i mbështesë. Ne jemi si shkopinjtë, nëse ndahen, secili do të thyhet veç e veç, por nëse ngjiten dhe bashkohen, bëhen një tufë e pathyeshme.

Më jep hua zemrën tënde o Gazi i ri, dhe më trego se prej kur kjo botë kalimtare është bërë vend strehimi dhe vend pushimi e çlodhjeje për besimtarët, kurse ne jemi krijuar që të lodhemi e të vuajmë në dynja për hir të ahiretit.

Nuk e mohoj të drejtën tënde që të ndihesh i lodhur dhe të dëshiroshë të paktën pak pushim dhe rehati, sepse një ditë sahabët erdhën tek i Dërguari i Allahut (savs) dhe i thanë: “I Dërguari i Allahut! A nuk do të lutesh për ne, a nuk do të kërkosh nga Allahu që të na japë fitoren?!”

Mirëpo, i Dërguari i Allahut (savs) nuk i gëzoi ata me lehtësimin e afërt, derisa u tha se malli i Allahut është i shtrenjtë, se çdo gjë në këtë botë është e pavlerë në krahasim me Xhenetin e përjetshëm dhe, se në gjeneratat e mëparshme kishte besimtarë të cilëve jobesimtarët ua ndanin mishin nga eshtrat me krehër të hekurt, por kjo nuk i largoi ata nga feja e tyre dhe nuk u dëshpëruan. Pastaj u tha atyre: “Allahu do ta ngre këtë fe, por ju jeni të nxituar.”

Më jep hua zemrën tënde o Gazi i ri, dhe le ta lavdërojmë sinqerisht Allahun për një orë. Ne duket se jemi të mahnitur nga rezultatet, por pa e vështruar çmimin e tyre. E rrëfejmë ngjarjen nga Mi’raxhi i Pejgamberit (savs), kur duke udhëtuar me melekun Xhibril nëpër sferat qiellore, e ndjeu aromën e Xhenetit të vajzës së Faraonit dhe fëmijëve të saj, por harrojmë se ata në Xhenet arritën përmes “shkallës” së vajit që vlonte në tenxheren e Faraonit.

Ne tregojmë për mrekullinë e një të porsalinduri që i tha nënës së tij: “Bëj durim, nënë, se ti je në të vërtetën!”, por harrojmë se çmimi i qëndrimit në të vërtetën ishte se të gjithë u dogjën të gjallë.

Ne flasim se hazreti Hamza (Allahu qoftë i kënaqur me të), është zotëri dhe prijës i dëshmorëve, por harrojmë se këtë zotërillëk ai e kishte fituar vetëm pasi që ishte goditur me shtizë, e pastaj i ishte prerë barku dhe i ishin hequr të brendshmet pas vdekjes së tij.

Ne e rrëfejmë tregimin e shehidllëkut të Mus’ab bin Umejrit (r.a.), një ish-djalosh i llastuar kurejshit, i pashëm dhe i pasur, i cili përdorte parfumet më të mira dhe ishte ëndrra e çdo vajze mekase. Por ne harrojmë se Mus’abi e bëri hixhretin e parë në Abisini në këmbë dhe këmbët e tij u gjakosën gjatë rrugës.

Ne e harrojmë Mus’abin, ambasadorin e Islamit, i cili i thirri banorët e Medinës në Islam ditë e natë dhe, i cili ishte shkaku i pranimit të Islamit nga krerët e dy fiseve kryesore, Evs dhe Hazrexh, Sa’d bin Muadhi dhe Sa’d bin Ubade.

Ne harrojmë se Mus’ab bin Umejri i kaloi momentet e tij të fundit në këtë botë në tokën e Uhudit, ku vdiq si shehid me duart e prera, dhe se ai bukuroshi i pasur i dikurshëm  mekas nuk kishte qefin që mund ta mbulonte të gjithë trupin pas vdekjes së tij, sepse ahireti dhe dynjaja rrallë takohen në një vend.

Dhe në fund, dua të ta kujtoj, o Gazi i ri, se kjo botë është një thikë që kalon nga duart e një krimineli në duart e një krimineli tjetër, kurse umeti yt është viktimë, është umeti gjaku dhe lotët e të cilit nuk ndalojnë së derdhuri.

Në mes të këtij krimi të tmerrshëm dhe të paprecedentë kundër umetit tënd, ata kërkojnë të të largojnë nga feja jote, pasi që kanë lejuar gjakun tënd. Ata dëshirojnë të të bindin se ata që mbajnë armë dhe ia shesin jetën Allahut, duke mbrojtur mua dhe ty, fenë time dhe tënde, janë shkaku i kësaj fatkeqësie dhe këtij rrënimi. Sikur kjo është masakra e parë, sikur sionistëve dhe armiqve të tjerë të Islamit ju nevojitet një arsye për të të vrarë.

Pyeti muslimanët e Algjerisë për krimet e Francës kundër tyre, kurse popullin e Libisë për krimet e Italisë. Pyeti muslimanët e Falluxhes dhe Ramadisë, pyete Kabulin, i cili u masakrua dy herë nga thika e dy perandorive, të cilat nuk mund të bien dakord për asgjë tjetër, përveçse për vrasjen dhe masakrimin e muslimanëve.

Pyeti Kombet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian për Srebrenicën dhe Sarajevën.

Pyete Këshillin e Sigurimit për Deir Yassinin, Sabran dhe Shatilan.

Të gjitha këto krime nuk janë terrorizëm, por nëse një plak i paralizuar në karrocën e tij me rrota vjen ta mbrojë popullin e tij që janë zhgënjyer nga njerëzit e shëndetshëm, atëherë ne jemi rrezik për botën.

Ata duan të të bindin ty, se ai që vjen nga larg në kuvertën e një aeroplanmbajtëse është lajmëtar i së mirës, ​​dhe, edhe përkundër asaj se e ke thikën në fyt, të ndalohet të rebelohesh, që të mos e spërkatesh zotërinë e botës së “civilizuar” me gjakun tënd.

Thjesht, ti duhet të theresh dhe duhet ta puthësh dorën që të ther. Kurse nëse ngrihesh në këmbë, nëse zgjedh të vdesësh duke qëndruar në këmbë, me armë në dorë, duke mbrojtur popullin, vendin dhe fenë tënde, atëherë ti je terrorist.

Përshtati në shqip: Miftar AJDINI

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK