Lajme
Fatmir Sabriu takim me ekspertë të BE-së për përfshirjen e freelancerëve në skemat e sigurimit social

Sekretari Shtetëror në Ministrinë për Politikë Sociale, Demografi dhe Rini, Fatmir Sabriu, zhvilloi sot një takim me Jurgen Hofman dhe Pasi Moisio, ekspertë të Komisionit Europian, në kuadër të projektit për përfshirjen e punonjësve të pavarur në sistemin e sigurimit social.
Gjatë takimit u diskutuan sfidat me të cilat përballen freelancerët dhe nevoja për ndërtimin e skemave të qëndrueshme dhe të drejta për këtë kategori gjithnjë në rritje të fuqisë punëtore. Sabriu theksoi rëndësinë e këtij procesi si një hap drejt një sistemi modern dhe gjithëpërfshirës të sigurimeve sociale.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt një sistemi më modern, më të drejtë dhe gjithëpërfshirës,” u shpreh Sabriu pas takimit.
Iniciativa për inkuadrimin e freelancerëve në skemat sociale përkon me përpjekjet e vendit për harmonizim me standardet evropiane dhe për garantimin e mbrojtjes sociale për të gjithë punëtorët, pavarësisht formës së angazhimit të tyre profesional.
















