Lajme
E trishtë! E reja shqiptare humb jetën tragjikisht jashtë vendit

Një aksident tragjik rrugor i ndodhur në Malaga, Spanjë, i ka marrë jetën Evelyne Salimusaj, një 30-vjeçareje me origjinë shqiptare, e lindur në Ciserano, Itali. Lajmi i hidhur ka prekur komunitetet në Itali dhe Shqipëri.
Evelyne Salimusaj, e cila kishte rreth një vit që ishte zhvendosur në Malaga, u përplas për vdekje nga një automjet të cilin po e drejtonte një i ri në gjendje të dehur. Sipas informacioneve fillestare, drejtuesi i mjetit u përpoq të largohej nga vendi i ngjarjes pas aksidentit të rëndë, por ai u identifikua shpejt nga autoritetet. Testi i alkoolit konfirmoi se ai ishte duke drejtuar automjetin nën ndikimin e alkoolit. Përplasja ishte aq e fortë sa personeli mjekësor i mbërritur në vendin e ngjarjes nuk mundi të bënte asgjë për të shpëtuar jetën e 30-vjeçares, duke konstatuar vdekjen e saj të menjëhershme.
Lajmi tragjik i vdekjes së Evelyne-s ka tronditur komunitetin e Ciseranos në Itali, ku ajo kishte lindur dhe ishte rritur. Bashkia e këtij qyteti italian ka publikuar një mesazh ngushëllimi nëpërmjet rrjeteve sociale, duke shprehur solidaritetin me familjen e Evelyne-s dhe duke e kujtuar atë si një anëtare të dashur të komunitetit. “Komuniteti i Ciseranos bashkohet në pikëllim për vdekjen tragjike të Evelyne Salimusaj, e cila ndërroi jetë në moshën 30-vjeçare në Spanjë, në Malaga, qytetin ku ishte zhvendosur”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të Bashkisë, i cili u shpërnda edhe nga kryetarja Caterina Vitali.
Evelyne Salimusaj ishte parukiere me profesion. Ajo kishte humbur babanë e saj pak kohë më parë, ndërsa nëna dhe dy vëllezërit e saj më të vegjël jetojnë aktualisht në Morengo, gjithashtu në Itali. Pas marrjes së lajmit të kobshëm, shumë miq dhe qytetarë kanë shprehur dhimbjen e tyre të thellë nëpërmjet rrjeteve sociale, duke e përkujtuar Evelyne-n si një vajzë të dashur dhe të respektuar nga të gjithë ata që e njihnin.
Hetimet lidhur me këtë ngjarje tragjike vijojnë nga autoritetet spanjolle, ndërsa familja dhe miqtë e saj kërkojnë drejtësi për humbjen e parakohshme të Evelyne Salimusaj.















