Lajme
Do shkojë në burg? Gjykata jep vendimin për Ahmed Kalanë

Është mbajtur këtë të mërkurë në Gjykatën e Tiranës seanca për dosjen penale ku përfshihen imam Ahmed Kalaja dhe persona të tjerë të hetuar në lidhje me ngjarjen e vitit 2022, ku u shpërndanë materiale me përmbajtje nxitëse ndërfetare. Ngjarja daton në vitin 2022, kur një numër individësh u hetuan për shpërndarjen e materialeve që prokuroria i konsideroi nxitëse të urrejtjes dhe ndarjeve fetare.
Në përfundim të seancës së sotme, gjykata vendosi të veçojë çështjen ndaj Kalasë, i cili akuzohet për “pengim të zbardhjes së së vërtetës”, pasi dyshohet se ka refuzuar të dorëzojë pamje filmike të rëndësishme për hetimin. Sipas burimeve, prokuroria dyshon se imami Kalaja posedon pamje filmike që mund të hedhin dritë mbi ngjarjen e vitit 2022 dhe shpërndarjen e materialeve të diskutueshme. Për këtë akuzë, Kalaja rrezikon një dënim me gjobë ose deri në tre vite burgim, sipas nenit përkatës të Kodit Penal që ndëshkon veprimet që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Ndaj tij çështja do të ndiqet veçmas në një proces të pavarur.
Ndërkohë, të akuzuarit e tjerë të përfshirë në këtë hetim, të cilët akuzohen për vepra të tjera që lidhen me shpërndarjen e materialeve nxitëse, janë kaluar për gjykim dhe pritet të përballen me drejtësinë në një proces të veçantë.
Vetë Kalaja nuk ishte i pranishëm në seancë dhe u përfaqësua nga avokati i tij Roland Islami. Mungesa e tij në seancë nuk e ka penguar gjykatën të marrë vendimin për ndarjen e çështjes dhe vijimin e procesit ndaj tij veçmas. Çështja pritet të ndiqet me interes nga opinioni publik, duke marrë parasysh natyrën e akuzave dhe personin e përfshirë.
















