Shqipëri
Alarm!/ Konfirmohet përhapja masive e sëmundjes së rrezikshme në vend! Vjen njoftimi i ministrisë

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar zyrtarisht konfirmimin e disa rasteve të Sëmundjes së Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR), e njohur ndryshe si Lija e Dhenve dhe Dhive, në territorin e Shqipërisë.
Sipas njoftimit për shtyp, rasti i parë i kësaj sëmundjeje virale dhe ngjitëse është konfirmuar më 4 qershor në fshatin Domen të Shkodrës. Më pas, janë regjistruar edhe tre raste të tjera: i dyti më 5 qershor në fshatin Vrenjt të Dibrës, i treti më 9 qershor në fshatin Val të Bulqizës dhe i katërti më 11 qershor në fshatin Polenë të Skraparit.
Ministria bën të ditur se deri më tani janë raportuar 4 vatra të sëmundjes, ndërsa numri total i të imtave të prekura është 716. Nga këto, 25 krerë kanë ngordhur, 153 krerë janë eliminuar në përputhje me protokollet shëndetësore, ndërsa krerët e tjerë ndodhen në proces eliminimi për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të sëmundjes.
Duke marrë parasysh situatën shqetësuese dhe përhapjen e sëmundjes në disa vatra, Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se që prej datës 9 qershor ka hyrë në fuqi urdhri “Për ndalimin e përkohshëm të lëvizjes së dhenve dhe dhive të gjalla në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Ky urdhër ka efekt në të gjithë territorin e vendit dhe ndalon lëvizjen e kafshëve të gjalla të llojit dhen dhe dhi nga ferma në fermë, si dhe shtegtimin dhe kullotjen në kullota të përbashkëta.
Gjithashtu, është ndaluar përkohësisht tregtimi i dhenve dhe dhive në tregjet e kafshëve të gjalla, në mjedise të hapura, panaire dhe grumbullime të tjera. Lëvizja e të imtave lejohet vetëm drejt thertoreve, me kusht që të shoqërohen nga një certifikatë shëndetësore veterinare e lëshuar nga veterineri zyrtar i shërbimit. Ministria thekson se kjo masë është e përkohshme dhe ka për qëllim mbrojtjen e shëndetit të kafshëve, sigurinë ushqimore dhe interesin e blegtorëve në vend.
Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB) ka ngritur 39 grupe kontrolli që monitorojnë situatën në terren. Deri më sot, janë kontrolluar 983 ferma të imtash, me një total prej 164.803 krerësh dhen dhe dhi në rang vendi. Qëllimi kryesor i këtyre grupeve është monitorimi i fermave, evidentimi i situatës epidemiologjike dhe përcaktimi i fazës aktuale të sëmundjes për të ndërmarrë ndërhyrje të mëtejshme efektive.
Ministria e Bujqësisë ka njoftuar gjithashtu se gjatë ditës së sotme dhe nesër, më 13 qershor 2025, do të organizohet një takim me pjesëmarrjen e dy ekspertëve të Komisionit Evropian, përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, AKVMB-së, Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) dhe Urdhrit Profesional të Mjekut Veterinar të Shqipërisë. Sot, këta përfaqësues do të kryejnë edhe një vizitë në terren në një nga vatrat e konfirmuara të sëmundjes. Në përfundim të vizitës, Misioni Teknik EUVET i Komisionit Evropian do të japë rekomandime në lidhje me menaxhimin e situatës dhe strategjitë e kontrollit të pranisë së Murtajës së Ruminantëve të Vegjël (PPR) në Shqipëri.















