Connect with us

Religjion

Vdekja është gjithnjë aty pranë teje

Publikuar

Vehb ibn Munebbih transmeton: “Ishte një mbret, i cili llogaritej ndër sundimtarët më të mëdhenj, dhe një ditë dëshiroi të vizitonte mbretërinë e vet, që njerëzit të bindeshin për madhështinë dhe lavdinë e tij. U dha urdhër vartësve dhe komandantëve të tij që t’i zgjidhnin kalin më të mirë dhe të niseshin me të. Hipi mbi një kalë me frerë të artë dhe me litar të zbukuruar me gurë të çmuar. Kalëronte krenar dhe plot mburrje ndërmjet rreshtave të ushtrisë së vet. Dhe pikërisht atëherë iu afrua shejtani dhe i pëshpëriti në vesh: ‘Kush është më i madh se ti?’ Ai mendoi pak dhe tha: ‘Nuk ka askush më i madh se unë.’ Pastaj, përpara kalit të tij u shfaq një i varfër i veshur me rroba të grisura dhe e kapi për litari kalin e mbretit. Mbreti, i zemëruar, i tha: – A e di ti i kujt është kali që e ke kapur për këtë litari? – Kam një nevojë që vetëm ti mund të ma plotësosh, – iu përgjigj i varfri me rrobat e grisura. – Prit të zbres nga kali, – i tha mbreti. – Por nevoja ime është pikërisht derisa sa je mbi kalë dhe është një sekret që duhet të ta pëshpërit në vesh, – ia ktheu i varfri. Mbreti u përkul, dhe ai i tha: – Unë jam Azraili, më është dhënë urdhri që ta marr shpirtin tënd. – Më lejo të shkoj te familja ime për ta marrë lamtumirën, – iu lut mbreti. – Jo, nuk do të shkosh, sepse fryma jote e fundit është afruar. Azraili ia mori shpirtin dhe ai ra nga kali. Pastaj Azraili shkoi te një njeri i devotshëm, e përshëndeti me selam dhe i tha se kishte një nevojë edhe tek ai, një sekret që duhej t’ia thoshte. – Ma thuaj në vesh, – i tha njeriu i devotshëm. – Unë jam Azraili. – Mirë se erdhe, – i tha ai. “Nëse ke ndonjë punë për të kryer, kryeje, – i tha Azraili njeriut të devotshëm. – Nuk kam asgjë më të rëndësishme se takimi me Zotin, – iu përgjigj ai. Më është urdhëruar të të pyes se si dëshiron të vdesësh dhe ta plotësoj dëshirën tënde, ky është urdhri im. – Më lejo të marr abdes, dhe ndërkohë që jam në sexhde duke falur namaz, merrma shpirtin, – tha njeriu i devotshëm. Azraili ia plotësoi dëshirën dhe ai shkoi në përqafimin e mëshirës së Allahut.” (Tenbihu-l-gafilin)

Dy janë heronjtë e këtij tregimi. Njëri, ai i pari, që përpiqet t’i ikë të pashmangshmes dhe ta shtyjë të pa shtyshmen. Kurse tjetri, ai që e pret me qetësi dhe dorëzim të dërguarin e Allahut të Plotfuqishëm, madje mund të themi se edhe gëzohet për ardhjen e tij.

Cili është shkaku i fatkeqësisë për heroin e parë dhe i kënaqësisë dhe lumturisë për heroin e dytë të këtij tregimi? I pari, mbreti, është i mjerë sepse e kuptoi shumë vonë se ekziston dikush më i madh se ai. Që të mos jemi nga të mjerët, ta dëgjojmë fjalën e Allahut të Plotfuqishëm dhe ta jetojmë me vetëdije të thellë. Allahu i Plotfuqishëm thotë:

“Atëherë, përse kur (dikujt) i vjen (shpirti) në grykë –  para syve tuaj, –  – ndërkohë që Ne jemi më afët atij se ju, por ju nuk e vini re – – përse pra, nëse nuk do të gjykoheni (në jetën e përtejme), –  ju nuk ia ktheni shpirtin atij? Përgjigjjuni kësaj, nëse thoni të vërtetën! –  Kështu, nëse ai (në agoni) është nga ata që janë të afërt (me Allahun), –  do të ketë prehje, kënaqësi dhe dhunti të Xhenetit.  –  E, nëse është nga njerëzit e së djathtës, –  (ai do të përshëndetet) “Paqe për ty” nga njerëzit e së djathtës.  –  Por, nëse (ai në agoni) është nga përgënjeshtruesit e humbur, –  ai do të gostitet me ujë të valuar –  dhe do tp ërcëllohet në Zjarrin e flakëruar (të Xhehenemit). –  Pa dyshim, kjo është e Vërteta e sigurt. – Andaj lavdëroje emrin e Zotit tënd të Madhërishëm!” (El-Vaki’a, 83-96).

Nëse njeriu e ka kaluar jetën e tij në anën e djathtë – që do të thotë duke besuar dhe duke bërë vepra të mira – atëherë ai gëzohet për takimin me Zotin e tij, sepse ka me vete furnizimin për botën tjetër. Nëse njeriu në jetën e tij është në anën e djathtë – në rrugën e ndriçuar nga Zoti i botëve – në anën ku zbatohen urdhrat e Allahut të Plotfuqishëm, pra në anën e së vërtetës, ai do të jetë i gëzuar për takimin me Zotin e vet. Ja si e sqaron këtë pejgamberi Muhamed (a.s.). Aishja (r.a.) transmeton: Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Kush e do dhe e dëshiron takimin me Allahun, edhe Allahu dëshiron takimin me të, ndërsa kush nuk e do takimin me Allahun, as Allahu nuk e do takimin me të.” E dëgjuam këtë dhe e pyeta Pejgamberin: – A do të thotë kjo se ata që nuk e duan vdekjen, nuk e duan as takimin me Allahun? Pejgamberi (a.s.) tha: – Jo, por kur besimtarit i flitet për mëshirën e Allahut, për kënaqësinë e Tij, për Xhenetin që është përgatitur për të, ai dëshiron të takohet me Zotin e vet, ashtu siç dëshiron në këtë botë të vijë bajrami. Ndërsa kur jobesimtarit i flitet për zemërimin e Allahut dhe për ndëshkimin që e pret, ai e urren takimin me Allahun. (Transmeton Hakimi).

E dinë besimtarët, ata që iu përkushtuan adhurimit gjatë Ramazanit, se çfarë gëzimi është Bajrami. Ata gëzohen për Bajramin sepse e përmbyllin një vepër të madhe e të rëndësishme dhe atë ditë e marrin shpërblimin. Sa herë që Allahu i Lartësuar në Kuran dhe Pejgamberi (a.s.) në hadithe kanë dashur ta përshkruajnë bukurinë e takimit të besimtarit me Allahun e Plotfuqishëm, nuk është gjetur krahasim më i bukur e më i saktë sesa krahasimi me gëzimin e Bajramit. Për këtë, Pejgamberi (a.s.) thotë: “Për besimtarin, vdekja është Bajram.” (Transmeton Tirmidhiu). Me Bajramin kurorëzohet një vepër e madhe, dhe jeta jonë në këtë botë është aq e rëndësishme saqë nga zgjedhja e rrugës këtu varet vendqëndrimi ynë në përjetësi, dhe në Bajram merret shpërblimi për veprën e kryer. Vdekja është jekin, bindje e sigurt, e vetmja gjë për të cilën e dimë me siguri se do të na vijë. Prandaj, le të bëjmë çmos që ajo për ne të jetë bajram.

Ebu Hazimi i jep këshillë Abdullah bin Omerit (r.a.): “Kurdo që të shtrihesh, vdekjen vendose nën jastëk, dhe gjithmonë përpiqu të jesh duke bërë atë vepër në të cilën do të dëshiroje të të zinte vdekja. Shmangu dhe ik prej atyre veprave në të cilat nuk do të doje të të zinte vdekja, sepse ajo është gjithnjë aty pranë teje.”

O Allahu Mëshirëplotë, na ndihmo që të jemi prej atyre që do të gëzohen kur të takohen me Ty.

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK